Në një ambient të shkëlqyeshëm, në sallën e madhe të Filharmonisë së Maqedonisë, duke respektuar rregullat Anti Covid, 300 të ftuar kanë ndjekur për së afërmi koncertin e 13 vjetorit të shtetit të Kosovës që solli këngët më të bukura të Ilir Shaqirit!
Të pranishëm ishin përfaqësues mediash, deputetë, ministra, zv ministra, sekretarë shtetëror, drejtues institucionesh kulturore e arsimore dhe shumë intelektualë e artistë! Fillimisht u prezantua biografia e Ilir Shaqirit dhe këngët më të bukura në videobim kurse më pas u interpretuan këngët “Këtu kam folenë” , “Dallëndyshe” “Tetovare”, “Dridhe Shkup e Shkodër” nga solistët Besarta Murtezani, Era Azemi, Kastriot Latifi. Më pas vallja “Malësorja” u ekzekutua me shumë nivel dhe shije nga vallëtaret e ansamblit. Më pas blloku tjetër solli solistin Shkodran Tolaji cili përveç si drejtues, ideues dhe meritor për këtë përvjetor, për nderë të Ilir Shaqirit interpretoi “Kosovë, tokë e bekuar”. Këngët “S’na la hasmi me u rritë bashkë”, “Shqiptaria” dhe “Zëri i atdheut” u interpretuan nga Jetmir Rexhepi, Kastriot Latifi e Agron Kalisi.
Pas këtij blloku mjaft emocionues u interpretuan në grup këngët “Një si perëndia”, “Cucë e Uskanës” dhe “Moj shqipni të qofsha falë” Natyrisht se meritor për orkestracionet, koreografitë dhe punën me vallëtarë e kanë bashkëpunëtorët e jashtëm: Valton Beqiri, Edon Ramadani, Xhevdet Gashi, Fahri Beqiri, Dilaver Kryeziu, Agim Bafti. Pikat kulminante të koncertit ishte paraqitja e artistit të madh Ilir Shaqiri me këngët: “Jam Evropë”, “Fjalët e qiririt” dhe “Erdhi dita e Pavarësisë e cila u realizua dhe si koreografi nga prof.Dilaver Kryeziu.
Prezantimi i koncertit u bë në mënyrë të mrekullueshme nga Avni Qahili kurse kryetari i komunës së Çairit si bashkëorganizator ndau mirënjohje në fund për Ilir Shaqirin, nderin e Kosovës dhe zërin e atdheut! Koncertin e ndoqën mijëra spektatorë drejt për drejt në RTSH, TVM2 dhe TV 21 Kosovë e Diasporë! Ky koncert paraqiti krenari, profesionalizëm, emocion dhe shumë shpresë se Ansambli Nacional shpejtë do të jetë në maje të rangimit të institucioneve simotra në Ballkan sepse po bëhet një punë e mrekullueshme dhe kolosale tash e një vit që në krye të tij është zgjedhur me mandat drejtor artisti ynë i madh Shkodran Tolaj!