Agjencia Zhurnal.mk

Antikorrupsioni e miratoi Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikteve të Interesit

Shkup, 17 janar, zhurnal.mk – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) e miratoi Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikteve të Interesit në pesë vitet e ardhshme që duhet ta zbatojnë institucionet, me qëllim të sigurohet ngritje e besueshmërisë së qytetarëve në sistem.

Drejtoresha e KSHPK, Biljana Ivanovska, në prezantimin e strategjisë, tha se fusha të rrezikshme në të cilat më së shumti zbulohen sjelljet korruptuese janë tek punësimet, procesi i furnizimeve publike, roli i mbikëqyrjes dhe i kontrollit si dhe sjellja e vendimeve.

“Si arsye për sjelljen korruptuese në këto fusha konstatuam se faktorët më të rrezikshëm janë ndikimet politike, mungesa e integritetit personal dhe institucional, transparenca e pamjaftueshme, mungesa e mosndëshkimit dhe mospërputhjet në legjislacionin juridik”, deklaroi Ivanovska.

Me realizimin e qëllimeve dhe masave nga strategjia, nënvizoi ajo, duhet të sigurohet ngritja e besimit tek qytetarët në institucionet e sistemit, efikasitetin në përdorimin e burimeve publike dhe përforcimin e demokracisë dhe vlerave shoqërore.

“Qëllimet kryesore të strategjisë janë të rritja e nivelit të përgjegjësisë politike dhe menaxhimi i vetëdijshëm me ndikimet politike në sektorin publik dhe parandalimi i ndikimeve polarizuese në punën e organeve të pavarura. Përforcimi i integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik. Zbatimi i përgjegjësive të sektorit publik në mënyrë të ligjshme, transparente, etike, ekonomike, përgjegjëse dhe në mënyrë efektive. Sigurimi i integritetit dhe transparencës në sektorin publik dhe politikat e burimeve njerëzore bazuar në sistem vlerash dhe kritere cilësore. Përforcimi i sistemeve të kontrollit dhe mbikëqyrjes si dhe digjitalizimi i të gjithë sektorëve të shërbimit publik dhe zvogëlimi i korrupsionit në procesin e ndarjes së granteve, subvencioneve dhe ndihmave të tjera shtetërore. Përforcimi i kapaciteteve dhe përkushtimi i organeve për zbatimin e ligjit, në prokurori dhe në gjyqësor në zbulimin dhe sanksionimin e korrupsionit dhe përforcimin e rezistencës së korrupsionit në radhët e tyre”, deklaroi Ivanovska.

Strategjia, theksoi ajo, parashikon gjithashtu përfshirjen e shoqërisë civile dhe mediave në luftën kundër korrupsionit në shoqëri, si dhe ngritjen e ndërgjegjësimit të vetëdijes publike dhe zbatimin e edukimit për antikorrupsion.

“Për të zbatuar me sukses strategjinë është e nevojshme të sigurohen burimet e nevojshme si parakusht për arritjen e qëllimeve strategjike. Komisioni ynë është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të masave dhe aktiviteteve të strategjisë si dhe përgatitjen e raporteve vjetore deri tek Kuvendi”, deklaroi Ivanovska.

Strategjia Kombëtare do të prezantohet zyrtarisht sot në Kuvend, e cila më pastaj duhet të miratohet. Në përpunimin e Strategjisë kanë qenë të përfshirë përfaqësues nga disa institucione, sektori privat, media, organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare përkatëse.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...