Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Antonio Guterres: Dhuna midis Izraelit dhe palestinezëve duhet të ndalojë menjëherë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se dhuna midis Izraelit dhe palestinezëve duhet të ndalojë menjëherë.

“Forcat izraelite të sigurisë duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të kalibrojnë përdorimin e forcës”, tha Guterres përmes një deklarate për media.

“Hedhja e raketave dhe mortajave drejt zonave të populluara të Izarelit është e papranueshme”, shtoi ai.

“Kombet e Bashkuara po punojnë me të gjitha palët përkatëse për të qetësuar urgjentisht situatën”, tha Guterres.

Së paku 30 njerëz raportohet të jenë vrarë në dhunën midis Izraelit dhe militantëve islamikë të Hamasit, që është intensifikuar mbrëmjen e kaluar.Në mesin e viktimave thuhet të jenë së paku dhjetë fëmijë.

Autoritetet shëndetësore në Gaza – rajon që kontrollohet nga grupi militant i Hamasit – thanë se mbi 120 njerëz u plagosën, shumica nga sulmet ajrore izraelite.

Ushtria e Izraelit tha se së paku 16 të vrarë ishin militantë.

Militantët e Gazës, ndërkohë, hodhën qindra raketa drejt Izraelit, duke vrarë dy civilë izraelitë dhe duke plagosur së paku 10 të tjerë.

Hamasi tha se po vepron për të mbrojtur xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit nga “agresioni” i Izraelit.

Ditëve të fundit, lokacioni ku ndodhet kjo xhami, që është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë, ka parë përleshje të rënda midis policisë izraelite dhe palestinezëve, të cilat kanë lënë qindra njerëz të plagosur.

Bregu Perëndimor po ashtu ka qenë skenë e dhunës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamasi “ka kaluar vijën e kuqe” duke hedhur raketa në drejtim të Jerusalemit dhe se vendi i tij do të përgjigjet “me forcë të madhe”.

“Qysh dje, ushtria ka kryer qindra sulme kundër Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Gaza… dhe ne do ta intensifikojmë më tej fuqinë e sulmeve tona”, tha Netanyahu në një video të lëshuar nga zyra e tij.

Ai shtoi se Hamasi “do të goditet në mënyra që nuk i pret”. /REL

Postime të ngjashme

Biden: Sulmet kibernetike mund të çojnë në luftë

D V

Nga sot, mohimi i gjenocidit në Bosnje ndalohet

D V

HRW: Sulmet në Gaza duket se përbëjnë krime lufte

D V

Dy njerëz të vdekur nga shpërthimi në Gjermani

D V

Parashikime më të mira për ekonominë globale më 2022

D V

Politikani lituanez dënohet me burg për spiunim për Rusinë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...