Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la sot në fuqi masën “arrest me burg” ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar më 22 tetor të vitit të kaluar.
Apeli i GJKKO, me trupë gjykuese monokratike të kryesuar nga gjyqtarja Saida Dollani, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për mosshuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.
Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
