Tre gjyqtaret e Apelit, Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën unanimisht të mos pranojnë ankimimin e Enkelejd Alibeajt, pjesë e grupimit Basha, për të zhbërë vendimin e dy viteve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, që njohu legjitimitetin e Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Denokratike.
Vendimi i plotë i Apelit:
Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ushtruar rekurs ndaj vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ka kërkuar:
-Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm.
-Deklarimin si të papranueshëm të ankimit paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 786, datë 27.12.2023 ka vendosur:
– Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
Në datë 11.06.2024 gjatë rigjykimit të çështjes në gjykatën e apelit, përfaqësuesi me autorizim av.Ivi Kaso i Partisë Demokratike të Shqipërisë, “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” kërkoi:
– “Mospranimin e ankimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Përfaqësuesit ligjor av. Indrit Sefa dhe av. Rezart Kthupi, të Partisë Demokratike të Shqipërisë e përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, kërkoi:
“Prishjen e Vendimit me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur: Pushimin e gjykimit, pasi nuk legjitimohen”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 11.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Alma Ahmeti dhe anëtare znj. Elona Toro dhe znj. Iliba Bezati, vendosi:
-Mospranimin e ankimit të ushtruar kundër vendimit Nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-Kundër këtij vendimit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit.
-Vendimi i arsyetuar do t’i komunikohet palëve.