Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

“Ariu i Artë” për filmin e pazakontë rumun

Si një satirë depërtuese, filmi “Bad Luck Banging or Loony Porn” është xhiruar i tëri gjatë verës së kaluar në kohën e izolimit gjatë pandemisë COVID-19, ku që të gjithë, kasti dhe stafi realizues, mbanin maska mbrojtëse. Aty, aktorja Katia Pascariu interpreton një mësuese që e gjen sakaq karrierën dhe reputacionin e saj të cenuar pasi një video e saj personale me seks është hedhur në internet

Prishtinë, 5 mars – Është një satirë e rreptë sociale që vërtitet mbi seksin, gënjeshtrat dhe incizimet. Filmi “Bad Luck Banging or Loony Porn”, nën regjinë e rumunit Radu Jude, ka fituar të premten “Ariun e Artë” për filmin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.

Si një satirë depërtuese, filmi është xhiruar i tëri gjatë verës së kaluar në kohën e izolimit gjatë pandemisë COVID-19, ku që të gjithë, kasti dhe stafi realizues, mbanin maska mbrojtëse. Aty, aktorja Katia Pascariu interpreton një mësuese që e gjen sakaq karrierën dhe reputacionin e saj të cenuar pasi një video e saj personale me seks është hedhur në internet.

Filmi, që ndau në dysh kritikët, është një tjetër vendim i pazakontë i jurisë së “Berlinales”, ku anëtarët shpesh zgjedhin filma eksperimentalë apo kundërthënës për t’u dhënë nderin kryesor.

Siç e thotë tradita, çmimet zakonisht janë dorëzuar gjatë një ceremonie shkëlqimplotë në “Berlinale Palast”. Por, në edicionin e 71-të të Festivalit, që është mbajtur i tëri online gjatë kësaj jave, çmimet për kategori janë kumtuar përmes një video-shpalimi nga juritë, nën nikoqirllëkun e drejtorit artistik Carlo Chatrian.

Ky edicion pati edhe diçka tjetër të veçantë: “Berlinalja” për herë të parë etabloi çmime me gjini asnjanëse, duke zëvendësuar trofetë për aktorin dhe aktoren më të mirë.

Maren Eggert fitoi çmimin për performancën më të mirë për filmin nën regji të Maria Schraderit, “I’m Your Man”, kurse Lilla Kizlinger ka fituar për performancën më të mirë mbështetëse në filmin e Bence Fliegauf, “Forest – I See You Everywhere”.

Juria ia ka ndarë “Ariun e Argjendtë” filmbërësit japonez Ryusuke Hamaguchi, për “Wheel Of Fortune And Fantasy”.

“Ariu i Argjendtë” për regjisorin më të mirë i është ndarë hungarezit Dénes Nagy, për filmin e tij debutues “Natural Light”, që flet për një oficer në ushtrinë hungareze gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ariu i Argjendtë” për skenarin më të mirë i është akorduar regjisorit nga Koreja e Jugut, Hong Sangsoo, për “Introduction”. I njëjti kishte fituar vjet çmimin për regji po në Berlinale, me “The Woman Who Ran”.

“Ariu i Artë” për kontribut të jashtëzakonshëm artistik i është ndarë Yibrán Asuadit, për montazhën e filmit “A Cop Movie”, nën regjinë e Alonso Ruizpalacios nga Meksika, film për të cilin Netflixi ka fituar të drejtat.

Juria ndërkombëtare e edicionit të sivjetmë përbëhej nga gjashtë fitues të mëparshëm të “Ariut të Artë”: Ildikó Enyedi, Nadav Lapid, Adina Pintilie, Mohammad Rasoulof, Gianfranco Rosi dhe Jasmila Žbanić. Pesë anëtarë jurie i kanë parë filmat vetë në kinematë në Berlin, kurse Rasoulof ka shikuar filmat garues nga Teherani, teksa mbetet ende në arrest shtëpiak.

Në të vërtetë, “Berlinalja” po planifikon që të mbajnë një ceremoni fizike për dorëzimin e çmimeve gjatë ngjarjes “Summer Special”, që është caktuar të mbahet nga 9 deri më 20 qershor.

Ndërkohë, juria për kategorinë garuese “Encounters” – në përbërje të të cilës ishin programerja franceze Florence Almozini, drejtoresha e festivalit Cecilia Barrionuevo dhe botuesi Diedrich Diederichsen – kanë ndarë çmimin për filmin më të mirë për “We” të Alice Diop.

Filmi qëmton diversitetin në Paris, nëpërmjet një udhëtimi në linjën nënurbane të trenit. Regjisorja franceze Diop shpërtheu në skenë me dokumentarin e saj të vitit 2016 “On Call”.
Kategoria “Encounters” ishte krijuar vjet, me qëllim që t’i mbështesë zërat e rinj në kinema.
Të tjerë fitues janë Ramon e Silvan Zürcher (me “The Girl And The Spider”) dhe Denis Côté (“Social Hygiene”), që e bashkëndanë çmimin për regji.

Marrë nga “screendaily”, “hollywoodreporter”. Përktheu: Salih Mehmeti

Postime të ngjashme

“Tregime të moçme shqiptare”, falas online në shqip-italisht

S.B.

Ora e lumtur për muralin me veshje kombëtare që po i bëhet në Ferizaj

S.B.

Promovimi i çështjes kombëtare në gazetën “Opinga” në Paris

S.B.

“Shqipëria ka zgjedhur Evropën”/ Kadare, mesazh për zgjedhjet dhe ndikimin turk: Shqiptarët, të mos vuajnë nga komplekset që është një komb çapaçulësh

S.B.

Piktura e papërfunduar e Raffaellos

S.B.

Traviata si një film/ Saimir Pirgu do të jetë në rolin e Alfredos

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...