Në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, janë zhvilluar tubime masive. Një pjesë e demonstruesve mbështesin Kryeministrin Nikol Pashinyan, ndërsa pjesa tjetër kërkojnë dorëheqjen e tij. Zoti Pashinyan po kritikohet për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në nëntor, në bazë të së cilës Azerbajxhani rimori kontrollin e rajonit Nagorno-Karabakh.
Armenia vazhdon të varrosë ushtarët e saj. Ata u vranë në një luftë me Azerbajxhanin vitin e kaluar që përfundoi me mundjen e Armenisë dhe humbjen e kontrollit mbi pjesën më të madhe të Nagorno-Karabakhut. Vendi është zhytur në krizë.
“Jemi në një krizë humanitare pasi kemi mijëra refugjatë dhe të zhvendosur… jemi edhe në një krizë politike pasi të gjitha partitë, do të thoja partitë parlamentare dhe ato jashtë parlamentit, kërkojnë dorëheqjen e kësaj qeverie”, thotë Edmon Marukyan, i Partisë Liberale.