Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

“Armiqtë e bluzave të bardha” – nga Erion Dasho

Nga Erion Dasho

Vitin e kaluar, në QSUT “Nënë Tereza” janë pushuar nga puna dy mjekë dhe një kryeinfermier me motivacionin: “Kritika publike në drejtim të QSUT-së”. “Mosmarrje leje para daljeve mediatike”.

Me të tillë “argumentë” që evokojnë akuzat mbi të cilat stiseshin gjyqet gjatë regjimit të kaluar, Dr. Petrit Vargu, Dr Ilir Allkja dhe Z. Elson Jaçaj e shohin sot veten të larguar prej sistemit shëndetësor publik.

Po a është rastësi kjo armiqësi e hapur e kësaj administrate ndaj bluzave të bardha?!

Le të shkojmë pas në kohë!

1 Kjo qeveri zhbëri ministrinë e Shëndetësisë, duke e bashkuar atë me ministrinë e Çështjeve Sociale dhe duke krijuar një mamuth totalisht të pamenaxhueshëm! Ky krim administrativ që do të kërkojë vite dhe mund për t’u riparuar, flet më qartë se çdo propagandë për prioritetin e ulët me të cilin kjo administratë e sheh shëndetësinë!

2 Prej shtatë vitesh ministria dhe institucioni lider i shëndetësisë shqiptare, QSUT-ja, drejtohen nga jo-mjekë! Sikur të mos mjaftojë kjo, në ministri sot janë të punësuar vetëm 2 mjekë, një prej të cilëve, specialist dinjitoz dhe me përvojë, ka mbushur prej vitesh moshën e pensionit.

3.Gjatë viteve të drejtimit të kësaj qeverie, mjekët dhe infermierët u bënë objekt persekutimi, duke nisur nga gjyqet e linçimet publike dhe duke përfunduar tek emisionet televizive.

4.Së fundi, gjatë kësaj qeverisjeje, shëndetësia iu shit oligarkëve në formën më të hapur, atë të koncesioneve abuzive, të cilat edhe kur ishin të justifikuara teknikisht, u kontraktuan me çmime disa herë më të larta se tregu.

Për kompensim, qeveria përdori pa kursim bojën dhe barin. Sot kur viziton spitalet shqiptare dhe sheh bojën e mureve, të duket vetja si në një spital europian. Kur gërvisht pak sipërfaqen dhe sheh në brendësi të sistemit, e kupton se cilësia e shërbimit na afron shumë më tepër me Afrikën.

E parë nën këtë retrospektivë, Petriti, Iliri dhe Elsoni nuk duhet të çuditen që në vendin me më pak mjekë dhe infermierë se çdo vend tjetër europian, ata e gjejnë veten të papunë!

Këto janë pasojat e një qeverisjeje që e ka parë dhe do ta shohë bluzën e bardhë si armike!

Sot, më tepër se kurrë, mjekët dhe infermierët duhet të pyesin veten:

“A duhet të vazhdojnë bluzat e bardha, shoqatat, urdhrat profesionalë, sindikatat, etj. të qëndrojnë pasivë përkundrejt linçimit të kolegëve me akuza të tilla absurde?!”

“Edhe sa kohë do ta durojnë mjekët dhe infermierët shqiptarë një agresion të tillë?!”

Postime të ngjashme

Kur do të zgjohemi ne shqiptarët?

Z H

Përtej shkundjes së perëndimit

Z H

TI JE VETËM NJERI, ALBIN!

Bexhet Musliu

Shteti i kapur nga oligarët

Bexhet Musliu

Poshtë regjimi!

D J

E kujt është Republika?

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...