Arben Taravari nga Koalicioni VLEN, theksoi se ish-ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani është dashur të lirohet që ditën e parë, por këtë e ka penguar një prokuror nga Kërçove.
“Jam dëgjuar me Blerim Ramadanin, kam biseduar. E di se Blerim Ramadani është dashur prej ditës së parë të lirohet, por fatkeqësisht një prokuror prej Kërçove nuk e la atë mundësi që atë ditë të lirohet dhe e komplikoi situatën. Më tutje, çfarë ka ndodhur nuk kam dijeni, por besoj që institucionet përkatëse do të japin informatë”, tha Arben Taravari, VLEN.
Por opozitarja BDI akuzon qeverinë se me urdhër të Vuçiqit arreston ushtarë të UÇK-së. Ata theksojnë se përfaqësuesit shqiptarë në qeveri mashtruan opinionin se është liruar Ramadani.
“Humbësit e zgjedhjeve, vasalët puthadorë në qeverinë monoetnike, të cilët nuk kanë legjitimitetin e votuesve shqiptarë, por janë të preferuarit e VMRO-së, u krekosën që e kanë liruar Blerim Ramadanin, duke e mashtruar opinionin kombëtar sepse atij vetëm iu ndryshua masa e sigurisë, ndërsa dje, policia vendosi ta arrestojë përsëri dhe ta dërgon në paraburgim aktiv”, thonë nga BDI.