Arrest shtëpie për kryetarin socialist të Bashkisë së Tropojës, Byberi

nga Xh M

Në Shqipëri, kryetari socialist i Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberi dhe zëvendësi i tij Abedin Kërrnaja, u vunë të hënën nën arrest shtëpie, me urdhër të Prokurorisë së Posçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit. Që të dy dyshohen për “Shpërdorim detyre”, në rastin e hapjes dhe ndërtimit të një rruge me një gjatësi 3.2km, e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.

Çështja përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme, pasi Prokuroria e Kukësit kishte rregjistruar më parë, tre procedime penale, përgjatë viteve 2021-2023 për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme “ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me Abedin Kërrnajën, me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë procesit për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak”. Nga hetimi rezulton se “subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi”. Po ashtu sipas prokurorëve “Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e linjës për ndikimin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit”.

Prokuroria thotë se “nga kryerja e aktit të ekspertimit tekniko-topografik, ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 Lekë”, ose afro 2.7 milionë euro. Deri në mbrëmje vonë, nuk ka patur asnjë reagim nga zoti Byberi, apo avokatët e tij, lidhur me akuzën e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More