Kumanovë, 16 dhjetor – Policia e Kumanovës ka arrestuar kolegun e tyre Goran Jovanovski i njohur me nofkën “VUK” (anëtarë i njësitit për intervenime) për sulm fizik ndaj kolegëve të tij. Përkatësisht, mbrëmë rreth orës 21:30 Jovanovski është ndaluar nga kolegët e tij për kontroll.
Pas një zënke verbale ai ka sulmuar kolegët e tij, ndërsa më pas është vërtetuar se i dyshuari ka qenë nën ndikimin e alkoolit.Jovanovski mësohet se përleshjen fizike e ka vazhduar edhe brenda Stacionit Policorë në Kumanovë, gjë që ka ndikuar në prishjen e rendit dhe qetësisë në institucion si dhe shqetësimin e nëpunësve dhe palëve prezente në stacionin policor.Rastin e konfirmon MPB-ja nga ku thonë se Kontrolli i Brendshëm është duke proceduar mbi bazën e dyshimeve për sulm ndaj nëpunësit policor.
“Personi është privuar nga liria dhe po mbahet në stacion policor. Pas dokumentimit të rastit do të procedohet kallëzim penal”.Në rast se vërtetohet vepra e Jovanovskit për “sulm ndaj personit zyrtarë i angazhuar në çështje sigurie”, Kodi Penal parashikon gjobë ose dënim me burg efektiv deri në tre vjet.45-vjeçari Jovanovski ka qenë pjesë e Njësitit për Intervenim të Shpejtë (EBR), ndërsa së fundi ishte i angazhuar në njësitin mobil “Policia Intervenuese”.
Jo zyrtarisht, burime në rrethana anonime bëjnë të ditur se Jovanovski dyshohet edhe për vepra tjera penale të cilat mund të kontestojnë seriozisht kredibilitetin e tij si nëpunës policorë.