Shkup, 30 gusht – Danella Arsovska nuk brengoset fare për ajrin e ndotur. E kjo u dëshmua edhe njëherë ku në seancën e Këshillit të qytetit të Shkupit u deklarua publikisht që nuk ekziston kurrfarë mase konkrete kundër ajrit të ndotur. Kjo është e tmerrshme dhe e pakuptimtë për faktin që pasojat e ajrit të ndotur vërehen dhe ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve. Kjo flet se sa qytetarët janë prioritet i kryetares aktuale të Shkupit, Danella Arsovska. Madje, edhe më keq se kaq qyteti i Shkupit shpesh herë është radhitur në krye të listës së ndër qytetet me ajrin më të ndotur edhe nivel bote, shkruan Zhurnal.
Në Shkup nuk ka masa konkrete kundër ajrit të ndotur –
“Nuk kemi masa konkrete për ndotjen e ajrit”, tha Gorjan Jovanovski në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit, kur në rend dite ishte iniciativa e grupit këshillues të “Qytetit të Gjelbër Njerëzor”, për marrjen e masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në Shkup.
Ai theksoi se Qyteti i Shkupit thotë se në shumë vende nuk janë kompetentë dhe se institucionet tjera duhet të veprojnë në pika të caktuara, me të cilat ky grup këshillues nuk pajtohet.
“U renditën institucionet që preken bashkë me qytetin. Nëse qyteti do, mund të fillojë bashkëpunimin, një nismë me këto institucione të tjera, ndotja e ajrit nuk është problem i një institucioni. Është lufta e përbashkët e të gjithëve. Nëse sipas vlerësimeve të fundit në Maqedoni vdesin pesë mijë njerëz në vit nga ndotja e ajrit, mendoj se është e drejtë të mos thuhet se nuk ka kompetencë”, theksoi Jovanovski, duke kërkuar hapa konkretë.
Këshilltari nga LSDM, Gordan Shutarov, tha se ky problem duhet t’i prekë të gjithë dhe bashkëpunimi duhet të jetë multisektorial.
Këshilltarja e pavarur, Irena Vitina, tha se e mirëpret veprimtarinë e Jovanovskit, por se Qyteti dhe Këshilli nuk mund t’i urdhërojnë disa institucione të ndërmarrin veprime, por munden dhe kanë iniciativa, siç është ajo për ligjin e propozuar për policinë komunale.
“Nuk mund të pajtohem që Qyteti i Shkupit të mos ndërmarrë asnjë angazhim dhe iniciativë”, nënvizoi ajo.
Kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, tha se të gjithë duhet ta kenë parasysh këtë çështje sa i përket cilësisë së ajrit, i cili i prek të gjithë.
Ndryshe, Këshilli në seancë miratoi projektplanin për ndryshimin dhe plotësimin e planit të programeve zhvillimore për periudhën 2024-2026. Është miratuar raporti tremujor për realizimin e buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2024, për periudhën nga 01.01 deri më 30.06.2024.
Në Maqedoninë e Veriut në vit vdesin mbi 3.800 persona për shkak të ajrit të ndotur –
Në Maqedoninë e Veriut në vit ka 3.828 vdekje për shkak të ndotjes së ajrit, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në vend, sipas raportit të Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për ujë të sigurt, kanalizimeve mjedisore dhe ekotoksikologjisë shëndetësore pranë Institutit për Shëndet Publik (ISHP).
Sipas gjetjeve të raportit, vlerësohet se nivelit aktual të ndotjes së ajrit i atribuohen 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD), që përbën 18.1 për qind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni.
“Ndotja e ajrit konsiderohet si kërcënimi më i madh mjedisor në botë për shëndetin e njeriut, me shtatë milionë vdekje në mbarë botën çdo vit. Ndotja e ajrit shkakton dhe përkeqëson një sërë sëmundjesh, duke filluar nga astma te kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Ndotja e ajrit të ambientit dhe grimcat, një nga komponentët kryesorë të ajrit të ndotur, janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin”, thotë doktoresha Dimovska.
Në rajonin evropian, pothuajse çdo individ është i prekur nga ndotja e ajrit, me mbi 90 për qind të qytetarëve të ekspozuar ndaj niveleve vjetore të grimcave të imta të dëmshme.
“Njerëzit në Maqedoni, dhe në përgjithësi njerëzit nga Ballkani dhe Evropa Lindore, thithin ajër më toksik të ndotur me grimca të dëmshme sesa fqinjët e tyre në Evropën Perëndimore. Rajoni i Ballkanit është shtëpia e shumë njësive me qymyr dhe linjit, si dhe 7 nga dhjetë termocentralet më ndotëse me qymyr në Evropë. Nëntë në dhjetë njerëz thithin ajër që tejkalon udhëzimet e OBSH-së që përmban nivele të larta të ndotësve, me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që vuajnë ekspozimin më të madh. OBSH pretendon se 56 për qind e qyteteve në vendet me të ardhura të larta nuk përmbushin udhëzimet për cilësinë e ajrit”, thekson Dimovska.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?
Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.
Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.
Me ministra që nuk brengosen dot nga ndotja e ajrit, deponitë që të zënë sytë pothuajse në secilin qytet, hapësira të gjelbra që mund të shihen vetëm po u vendosen “syze të gjelbra”, mungesë e parqeve, e shumëçka tjetër mjedisi vazhdon të mbetet në greminë. /Zhurnal.mk