Agjencia Zhurnal.mk

Artan Fuga intervistë për DW: Nxjerrja e blindave të ushtrisë në rrugë kundër virusit, dëshirë për të treguar potencë

DW: Ushtria shqiptare patrullon me automjete të blinduara rrugëve të vendit si masë e marrë nga qeveria kundër virusit Corona. Ndaj kësaj mase ka pasur zëra pro dhe kundër. Cili është mendimi juaj?

Artan Fuga: Nuk shoh asnjë lidhje mes daljes një fundjave të autoblindave në rrugë dhe përballjes së epidemisë së Covid-19. Asnjë! Sigurisht, sikundër edhe në vende të tjera evropiane apo në SHBA, edhe Shqipëria ka zbatuar mbylljen e popullsisë për të mos lejuar zgjerimin e infektimit masiv, mund të bëjë shumë më tepër kundër epidemisë, por dalja e automjeteve të blinduara nuk ka lidhje. Më kujtohet se aty nja 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore luanim “topa luftash”, “komandçe”, “partizanët – ballistët”, me shokët dhe shoqet e lagjes. Ideja ishte kush e qëllonte me top llastiku, ose e shenjonte duke i bërtitur “të dogja” shokut ose shoqes që fshihej pas pemës ose shtyllës elektrike prej druri, pas cepit të pallatit, etj.

Nuk e di kush na i kishte mësuar ato lodra kolektive, por tani mendoj se ishin jehona e Luftës së Dytë Botërore. Lufta reale kishte përfunduar, por ajo duke tronditur ndërgjegjen kolektive vazhdonte në lojrat tona fëmijërore, naive, si një luftë imagjinare. Ne bënim betejat tona imagjinare si fëmijë, sepse dihet që fëmija është pak mitoman, pak naiv, pak shndërrues i realitetit në një delir shpërthyes që ikën me moshën. Ndërkaq, më pas në vitet ’70, tanimë të rinj, ne i kishim harruar lodrat tona “topadjegsi” në lagje, por loja me luftë vazhdonte. Erdhën zboret ushtarake. Ku ne përgatiteshim të luftonim një armik imagjinar, duke bërë alarme, duke mësuar artin ushtarak në shkolla, duke parakaluar, e kështu me radhë. Një armik që nuk vinte kurrë, nuk kishte pse të vinte, dhe as dihej se përse duhej të vinte.

Deliri fëmijëror nisi të kthehet në megalomani adoleshentësh që gjithmonë nxitej nga shteti i kohës, i cili e kishte si një mjet mbylljeje, izolimi dhe diktati mbi popullsinë. Është më e lehtë të sillesh si kapter zbori me qytetarët që trajtohen si rezervistë sesa t’i trajtosh si pushtetar në shërbim të tyre. Mentaliteti i kapterit, nisi të shuhet për dekada pas hyrjes së botës në periudhën e pasluftës së ftohtë. Mirëpo përsëri, ja me tërmetet, pandemitë, me flukset masive të valëve të emigracionit drejt Evropës dhe Ballkanit, me mbylljen e kufijve, izolimin e qytetarit në shtëpi, mentaliteti i luftës virtuale nis e ngre kokë përsëri.

Tani na kap në një brez tjetër 50- dhe 60-vjeçarësh dëshira për luftra virtuale, është një lojë luftash si filmi “Tinguj Lufte”, “Operacioni Zjarri”, “Fije që Priten”, “Prita”, “Mëngjese Lufte”, etj. Edhe në botë ka shumë filma me luftë, ndërkohë që luftë me tanke në Evropë dhe Perëndim nuk ka. Luftrat janë në periferi tashmë, sidomos pas mbarimit të luftrave gjakatare në Ballkan, ku shqiptarët u masakruan. Tani loja me luftra, me tanke në qytet, është një dëshirë viriliteti, kur fuqia e brezit, apo edhe e shtetit, për t’u armatosur ka rënë fort. Janë nostalgji parakalimesh kur ta zemë ministri Balluku, kryeministri Shehu, e të tjerë drejtonin parakalimet në bulevard para liderit suprem. Ishte një mitologji virtuale e luftës virtuale që kishte kohë që kishte përfunduar. Kurse tani kemi imitimin e parakalimeve të atëhershme që duhet thënë se ishin të frikshme, madhështore, sa edhe të poshtra psikologjikisht dhe politikisht. Dalja e sotme është pra si imitim, një ëndërr e ëndrrës, një imitim i imitimit, një delir i delirit. Atëhere deliri shfaqej si nostalgji e luftës, si revole e pashkrepur, që tundej mbi koka qytetarësh, sot është një lojë tankesh të mplakur, një operacion senil, një si një lloj viagre për të rishfaqur topaluftat e vegjëlisë në shtetrrethimet senile me tanke të sotme, sapo paraqitet rasti, duke kuruar dëshirën për të treguar potencë.

Kjo është faza e tretë e delirit pra që si në moshën e njeriut nis si mitomani fëmijore, vazhdon si grandomani narciste rinore dhe e brezit të mesëm, dhe përfundon në nostalgji delirante që duket se përsërit të kaluarën si një përpjekje për të ruajtur fasadën rinore. Keni parë filmin “Kapedani”, kur personazhi tundte në ëndërr shkopin e tij, duke pasur në nën-ndërgjegjen nokturne imazhet delirante sikur po tundte jataganin kundër osmanëve?

Po filmin “Jeta është e bukur” të Roberto Begninit e keni parë? Ai filmi pra që babai i mbyllur në kap përqendrimi me djalin e tij ndofta shtatë ose tetëvjeçar, për ta ruajtur djalin nga tmerret e kampit, e futi në rrëfim ku gjithçka e paraqiste si një lojë qesharake. Tankun si lojë. Ndërkohë që tanku ishte i vërtetë, terrori i vërtetë. Kurse ne na ndodh e njejta gjë, transformimi mitomanik i lojës në realitet. Në film ne kemi transferimin e realitetit në ëndërr, kurse në rastin e tankeve në rrugë tani kemi dëshirën për të transferuar lojën në një realitet! E marrin qytetarin si një fëmijë dhe i thonë: I shikoni këto lodrat këtu, me zinxhira, janë tanke eeeej! Jemi luftë eeeej! Dhe fëmija e besonte babain e vet në film.

Unë po të kisha qenë do ta kisha transformuar pakëz filmin: Në një moment fëmija në filmin tim do t’i thoshte babait: O bab, lene këtë muhabet, unë po bëj sikur të besoj sepse dua të të qetësoj ty, të të krijoj idenë se ti po më qetëson mua. Unë po luaj me ty, dhe jo ti me mua. Në fakt babai duke i shpjeguar ngjarjet reale si lojë, përpunonte dhe manipulonte frikën e vet, shprehte dëshirën që ai realitet i tmerrshëm të ishte një ëndërr. Sepse unë kam idenë që fëmijët janë shumë më inteligjentë sesa i kujtojnë ata prindërit e tyre. Ata bëjnë lojën e tyre me të rriturit, sikundër qytetarët luajnë edhe ata me pushtetarët. Bëjnë sikur besojnë. Pushtetarët nxjerrin tanket duke u thënë : Eeeej luftë, more luftë, kurse qytetarët bëjnë sikur tremben : Luftë more luftë!

Ja kështu e shoh psikanalizën e asaj ngjarjeje. Për të tjera pastaj mund të flasim sa të duash. Sa u njoftua popullsia për daljen e ushtrisë në rrugë? Kush e dha urdhërin që ushtria të bëjë funksionet e policisë? Cili është këtu roli i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe cili reagimi i tij? E të tjera.

DW: Në daljet e tij publike kryeministri i vendit përdor shpesh termin “luftë”. A është ky termi i duhur për t’u përdorur? Ç’impakt ka kjo tek njerezit?

Termin “luftë” nuk e përdor vetëm ai, e ka të huazuar nga qeveritarë evropianë si italianë, francezë, etj që e kanë përdorur. Dihet që imitimi diskursiv sot në televizione është diçka e lehtë. Ka emigrim terminologjik sot sikundër lloje të tjera emigrimesh. Termi luftë vjen, sepse sikundër e thamë edhe epideminë ky brez pa luftë reale e mendon, e metaforizon si luftë me armë. Nuk e simbolizon luftën si epidemi, por epideminë si luftë. Eshtë njësoj sikundër ta zemë peshkatari me grep në dorë të thotë kur grepi kap peshkun e qëlloiiiiii! Ose kur trajneri i futbollit u thotë çunave: do t’i sulmojmë nga të dy krahët! Ose kur druvari pasi çan trungun e pemës me sopatë thotë: po këpus në mes! Ose kur dikush pasi është zënë me komshiun te shkallët e pallatit, i thotë gruas në shtëpi: E grrivaaaaa! E shkrivaaaa, etj. Përsëri i duhet kthyer delirit të luftës.

Shteti sikundër ka shpjeguar Niçja është një fuqi në potencë që kërkon të shprehet. Kur nuk ka përse shprehet si potencë, atëhere riprodhon dëshirën e fshehur në mënyrë simbolike. Por, këtu ka lidhje edhe me rrezikun e humbjes së jetëve, si edhe të vdekjeve të mundshme masive. Por, si luftë është qesharake. Luftoni duke u mbyllur në shtëpi! Luftoni duke ndejtur shtrirë në divan! Sikundër thuhej në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, para sesa të fillonin luftimet reale, ishte një: Luftë qesharake!

DW: Cilat mund të jenë pasojat sociale që mund të ketë Shqipëria pas daljes nga izolimi?

Është shpejt të anticipojmë, sikundër bëjnë mitomanë të ndryshëm që mendojnë se çfarë do të bëhet në një kohë që askush nuk e di se çfarë do të prodhojë. Gjithsesi vëmendja duhet mbajtur në një të ardhme të afërt: Sa do të vazhdojë epidemia? Si do të dilet nga epidemia? Ekonomia kërkon të dilet sa më shpejt, kurse epidemiologjia sa më vonë! Këtu nuk duhet as nxitim ekonomik, as vonim kujdesi mjekësor. Nëse ky ekuilibër prishet, atëhere rrezikohet biznesi dhe jeta sociale e njerëzve, kurse po pati nxitim, atëhere vërtet rrezikojmë të kemi një epidemi vdekjeprurëse, një “luftë”. Pra, duhet menaxhuar dalja nga shtëpia. Se mos duhen tanke për të nxjerrë njerëzit për t’i shtyrë të punojnë! Dikur shqiptarin e çonin me tanke të punonte, me detyrim, tani në kohë epidemie e detyrojnë me tanke të mos punojë por të mbyllet në shtëpi.

Historia ka anët e veta qesharake. Kush e mendonte! Ajo që unë mendoj është se do të ketë një fazë graduale rifillimi të jetës sociale, e cila lypset të mendohet mirë. Gradualiteti do të ishte strategjia më e mirë. Për pasojat sociale, do të duhet të presim pak. Jemi si ai i sëmuri që ngrihet nga koma dhe nuk dimë se si do të reagojë, a do të ketë kujtesë, a ka harruar të ecë, si do t’i funksionojë aparati tretës? Po, të ngrihemi njëherë./DW

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...