Artikull i vitit 1965 që shpalli Londrën si vendin më interesant në botë

nga D. V.

Nga: Max Décharné / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 16 prill 1965, revista e fundjavës e The Daily Telegraph-it kishte një artikull kryesor të shkruar nga John Crosby, me titullin “Londra: Qyteti më emocionues”, që shpallte: “Papritur, të rinjtë janë të zotët e qytetit”, dhe pohonte se tashmë ky ishte vendi “ku ndodh gjithçka, qyteti më i hareshëm, më i papërmbajtshëm – dhe, në një kuptim, krejtësisht i ri, shumë modern – qyteti më elegant në mënyrën më interesante në botë”.

Crosby, gazetar dhe kritik televiziv i njohur amerikan, ishte korrespondenti nga Londra i New York Herald Tribune dhe banonte në Kings Rod të Çelsit, në zemër të gjithçkaje që ishte bërë modë e re. Ajo që e bënte artikullin e tij veçanërisht të rëndësishëm ishte fakti se u botua një vit të tërë para artikullit që zakonisht konsiderohet si nxitësi kryesor i legjendës së “Londrës ritmike” [Swinging London] të mesit të viteve ’60 [të shekullit XX] – kopertina e famshme e revistës Time, e prillit 1966, me titullin “Londra: Qyteti në ritëm [Swinging City]”.

Të dy këta artikuj pasqyronin një ndryshim në kulturën popullore që po ndërtohej që nga mesi i dekadës së mëparshme, dhe që u bë i dukshëm me suksesin në Amerikë të shumë grupeve britanike të kohës së “pushtimit britanik”, veçanërisht [të grupit] The Beatles.

Shenjat e para filluan rreth vitit 1955, kur çmenduria e skiflit [skiffle – një rrymë muzikore vendase] në Mbretërinë e Bashkuar i shtyu shumë të rinj të merrnin kitarat në dorë dhe të provonin të krijonin muzikën e tyre, ndërsa Mary Quant hapi butikun e saj të parë në Kings Rod. Në atë kohë, muzika pop pritej të vinte vetëm nga Amerika, dhe modat novatore vetëm nga pasarelat e Parisit, por gjatë fillimit të dekadës pasuese, grupet britanike filluan të shfaqeshin gradualisht në klasifikimet muzikore në mbarë botën, dhe stilet e reja të Quantit po depërtonin në botë – siç e shpjegoi ajo në një intervistë me mua në vitin 2004:

Stilistja Mary Quant pranë dyqanit të saj Bazaar në Brompton Rod në Londër, më 1962 (burimi: Getty Images)

“Që nga viti 1962 fillova të dizajnoja rroba dhe të brendshme për zinxhirin e dyqaneve amerikanë, JC Penney – si dhe për koleksionin tim personal Mary Quant. Udhëtoja çdo muaj drejt Nju-Jorkut, dhe e adhuroja këtë gjë”.

Viti 1962 solli gjithashtu premierën e filmit të parë të Xhems Bondit, Dr. No, i bazuar në romanet me miliona kopje të shitura të Ian Flemingut. Fleming ishte rritur në Çelsi dhe spiuni fiktiv në librat e tij jetonte në një shesh të paemërtuar pranë Kings Rodit. Sean Connery, ylli i serisë së re filmike, kishte jetuar në banesa me qira të lira në këtë zonë në fund të viteve ’50 [të shekullit XX], dhe John Barry kompozoi shumicën e temave klasike të Bondit, si Goldfinger, në banesën e tij në Sheshin Kadogan aty pranë. Ky aktor filmash, tërheqës, i guximshëm dhe me humor thumbues, u shfaq në skenë pikërisht kur valët e filmave më realistë e më të ashpër [të njohur si kitchen sink], po fillonin të zbeheshin.

Shumë nga këta të fundit ishin regjisorë që kishin nisur karrierën në vitin 1956 në Teatrin Mbretëror në Sheshin Sloun, në skajin lindor të Kings Rodit, të frymëzuar nga tronditja kulturore që shkaktoi drama debutuese e John Osborneit për trupën rezidente, Të kujtosh me zemërim [Look Back in Anger]. Duke u larguar qartë nga ambientet e zakonshme të klasës së mesme apo të lartë dhe duke vendosur personazhe të klasës punëtore në qendër të veprimit, këto drama dhe filma – së bashku me anti-heronjtë e paraqitur në romanet e ashtuquajturve “Djem të Zemëruar” [Angry Young Men] të fundit të viteve ‘50 [të shekullit XX] – ndihmuan të hapnin rrugën për figurat e viteve ’60 [të Shekullit XX] në ekran, në klasifikimet muzikore dhe më gjerë në kulturën popullore, të cilët flisnin pa dorashka dhe nuk ndiqnin më rregullat e vjetra.

John Crosby fillimisht kishte menduar ta titullonte artikullin e tij të Telegraph-it, të vitit 1965, Londra ritmike [Swinging London], dhe një vit më herët kishte informuar lexuesit e kolumnes së tij në New York Herald Tribune se Britania ishte një komb “ritmik” [swinging]. Pas publikimit të artikullit të famshëm në kopertinën e revistës Time në vitin 1966, mediat amerikane zbarkuan në masë në Londër duke kërkuar histori të reja dhe, në një moment gjatë atij viti, siç më tregoi Mary Quant, “revistat amerikane dhe televizionet shpesh xhironin të dy anët e Kings Rodit në të njëjtën kohë.”

Time shpalli se “në një botë dikur të qetë me shkëlqim të zbehur, gjithçka e re, e çliruar dhe e çuditshme po lulëzon në majën e jetës londineze”, dhe Kings Rodi dukej si epiqendra e gjithçkaje që ishte shpallur si “në trend” [groovy]“E shtunë pasdite në Çelsi, në restorantin La Rêve. Duke përpirë një drekë të shpejtë, janë disa prej të rinjve më të përfshirë në jetën e qytetit: Aktori Terence Stamp, 26 vjeç, yll i Koleksionistit [The Collector] dhe i lidhur me modelen Jean Shrimpton; aktori Michael Caine, 33 vjeç, spiuni që adhuron Mozartin te Dosja IPCRESS [The Ipcress File]; parukieri [Vidal] Sassoon, 38 vjeç, prerjet e të cilit shihen si te [kreatori i modës, André] Courrèges në Paris ashtu edhe tek princesha Meg [Margaret]; fotografi i famshëm David Bailey, 27 vjeç, bashkëpunëtor profesional i Antony Armstrong-Jonesit; dhe Doug Hayward, 28 vjeç, rrobaqepësi privat më ‘në zë’ i Çelsit”.

“Papritur, të rinjtë janë të zotët e qytetit, aty ku veprimi është i papërmbajtshëm”

Shumica e vëmendjes mbi këtë kryeqytet të trendit të modës u prit me përqeshje të parashikueshme nga vetë londinezët dhe nga satiristët e [revistës] Private Eye, të cilët shtypën një shtojcë tallëse “Shtojca e Anglisë vibrante me qëllim të përgjithshëm eksitimi” për të ndihmuar “atë numër shumë të vogël të periodikëve amerikanë që ende nuk kishin publikuar raportin e tyre 24-faqësh për Anglinë e re ritmike, vibrante, të furishme, ku edhe varkat amfibe vishen me minifunde etj.” Edhe rubrika e letrave të lexuesve e Time-it mori reagime thumbuese nga britanikët, përfshirë një që shkruante: “Për përgjithësimet më qesharake të vitit, meritoni me të vërtetë të bini në ritëm. Të gjithë ju. Por, jo në Londër”.

Megjithë këtë ironi, imazhi i kryeqytetit si një burim frymëzimi për kulturën pop në lulëzim, të viteve ‘60 [të shekullit XX], do të vazhdonte të përhapej gjatë gjithë dekadës, përmes artikujve të shumtë për modën, librave si Dosja londineze e Len Dejtonit [Len Deighton’s London Dossier], Londra ritimike – një udhëzues për atë se ku është nxitja [Swinging London – A Guide to Where the Action Is] nga Karl Dallas, apo romaneve të lehta atraktive si Spiunet bukuroshe [The Dolly Dolly Spy] i Adam Diment. Këtij miti i shtoheshin qindra yje të famshëm të rokut, përfshirë banorin e Çelsit, Keith Richards, me xhaketat e kadifesë dhe shallët e prerë me mjeshtëri nga butiku Granny Takes a Trip në Kings Rod, filmat si Allfi [Alfie] ose Fryrja [Blow-Up], si dhe serialet televizive londineze si Hakmarrësit [The Avengers, tani i xhiruar në ngjyra për tregun amerikan] dhe nga një stuhi artikujsh revistash që lavdëronin ose kritikonin mitin e Londrës Ritmike.

Sa i përket njeriut që me artikullin e tij në The Telegraph ndihmoi në shpërthimin e kësaj histerie, Liverpool Echo raportoi në qershor të vitit 1966 se “Crosby sot e pranon me ndrojtje atësinë e lëvizjes ritmike, por thotë se ai thjesht po përpiqej të bënte humor mbi një aspekt të vogël të jetës angleze”. Dhe, përballë mundësisë për t’u intervistuar nga Paris Match për një tjetër artikull mbi këtë temë, vetë Crosby theksoi me ironi: “Kur francezët vijnë në Angli për t’i bërë një amerikani pyetje mbi seksin në Londër, atëherë e kupton që ka ardhur fundi i botës”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More