Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

Asani: Në seshin e Shkupit tashmë nuk ekzistojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë

Shkup, 12 maj – Zhurnal.mk – Kryetari i ITSHKSH-së, Skender Asani përmes një konference për media ka reaguar ndaj punimeve dhe renovimeve të fundit në sheshin kryesor të qytetit të Shkupit, në hyrje të Qendrës Tregtare, informon Zhurnal.

Siç shprehet Asani,veprimi i fundit i qytetit të Shkupit nuk ka lënë asnjë gjurmë nga shtëpia e Nënës Terezë, dhe gjithashtu ka bllokuar dhe rrugën për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të kësaj shtëpie.

Asani shton se të gjitha faktet flasin se këtu ka qenë shtëpia ku ajo ka lindur.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë,

Jemi sot këtu, në sheshin e Kryeqytetit, për të tërhequr vërejtjen për një veprim që është ndërmarrë nga Qyteti i Shkupit dhe që na ka shqetësuar jo vetëm neve si studiues e si shkupjanë, por edhe shumë dashamirë të qytetit tonë, që i kanë sytë kah ne.

Siç e shihni, në këtë vend tashmë nuk ekzistojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë dhe, pos kësaj, është bllokuar edhe rruga për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të kësaj shtëpie. Pavarësisht thashethemeve, të gjitha faktet flasin se këtu ka qenë shtëpia ku ajo ka lindur, andaj ky vend tashmë disa vjet konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi për admiruesit e personalitetit të saj. Por, ja që tash, me një vendim që nuk dimë si është marrë, kur është marrë dhe nga kush është marrë, ky park i ka mbuluar shenjat e shtëpisë së Nënës Terezë dhe, përveç kësaj, ka pamundësuar vendosjen e luleve në pllakën përkujtimore të saj.

Nisur nga kjo, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucion i vetëm shkencor në vend që ka departament për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili është akredituar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shpreh indinjatën e thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm dhe konsideron se ky është një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë.

Prandaj, ne sot ia kemi nisur nga një letër Presidentit të Shtetit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, si dhe kryetarit të Qytetit të Shkupit, që – konform kompetencave dhe mundësive të tyre – ta rikthejnë gjendjen e mëparshme në këtë vend derisa ky vendim nuk ka marrë përmasa ndërkombëtare, që vendi ynë të turpërohet nga kjo papërgjegjshmëri.

Duke qëndruar këtu i bëjmë thirrje veçanërisht Kryetarit të Qytetit të Shkupit, si përgjegjësi kryesor i këtij sheshi dhe i kësaj pike përkujtimore që ta rishqyrtojë këtë veprim. Jemi të sigurt se Qyteti ynë ka plot punë për t’u bërë para se të vihet dorë mbi personalitetin e Nënës Terezë. Në këtë drejtim mund t’i propozojmë që teksti i pllakës përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe, siç është përcaktuar tashmë me ligj.

Ne do të presim edhe disa ditë që Qyteti Shkupit të reflektojë. Në të kundërtën, do të jemi të detyruar që këtë shqetësim ta ngremë në instanca të tjera vendore dhe ndërkombëtare, duke kërkuar ndihmë edhe nga miqtë e Nënës Terezë gjithandej nëpër botë”, është shprehur Asani./Zhurnal.mk

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...