Ashpërsohen masat për marrjen e armëve me leje, për të evituar vrasjet e shpeshtuara!

nga I.A

Shkup, 31 gusht – Siguria është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar për të garantuar një mirëqenie të mirë sociale. E për këtë pjesë ekzistojnë edhe organet e sigurisë që me kompetencat e tyre duhet ta garantojnë një gjë të tillë. Por, në Maqedoninë e Veriut ngjanë sikurse këto organe janë në gjumë e pasive në funksionim. Pasi ndodhin raste të shumta por përfundojnë pa zbardhje dhe pa asnjë epilog dhe kjo krijon ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët. Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ka folur në lidhje me vrasjet e ditëve të fundit si dhe praninë e armëve tek qytetarët. Ai tha se policia është e përkushtuar fuqishëm që të merret me këtë problem. I pyetur nëse mund të inicohet aksion për dorëzimin e armëve dhe përforcimin e masave për posedimin e armëve kush duhet ta ketë dhe kush jo, ministri Toshkovski theksoi se duhet të punohet për të përcaktuar se kush mund të posedojë armë në vendin tonë. Mbetet të shihet nëse ky filtrim do të nënkuptojë edhe ashpërsim i masave për marrjen e armëve me leje, shkruan Zhurnal.

Toshovski: leje për armë do të marrin vetëm ata që i plotësojnë gjitha kushtet

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ka folur në lidhje me vrasjet e ditëve të fundit si dhe praninë e armëve tek qytetarët. Ai tha se policia është e përkushtuar fuqishëm që të merret me këtë problem.

“Vetëm gjatë vitit 2024 janë sekuestruar nga Ministria e Punëve të Brendshme 104 armë, nga të cilat nëntë automatikë, 39 pistoleta, 35 pushkë gjuetie etj. Krimi ishte, është dhe do të jetë. Pyetja është se si do t’i përgjigjen shërbimet e sigurisë ndaj atij krimi. A do të jetë shumë herë bashkëpunëtor si më parë apo do të përgjigjet në mënyrën e duhur dhe do të japë maksimumin dhe për dy orë do t’i arrestojë autorët që kanë kryer vrasjen si shembulli në qendrën tregtare Mavrovasja”, tha ministri Toshkovski.

I pyetur nëse mund të inicohet aksion për dorëzimin e armëve dhe përforcimin e masave për posedimin e armëve kush duhet ta ketë dhe kush jo, ministri Toshkovski theksoi se duhet të punohet për të përcaktuar se kush mund të posedojë armë në vendin tonë.

“Tashmë po punohet intensivisht në drejtim të zbulimit se si MPB-ja ka dhënë leje për armëmbajtje deri më tani. Çdo qytetar që ka kërkuar leje, sidomos gjuetarët, e di se janë keqpërdorur kompetencat e dhëna nga ligjvënësi dhe po punohet intensivisht për të përcaktuar se si lejohet të privilegjohet një person për të marrë leje, për t’u dhënë leje personave që, sipas sipas ligjit, nuk duhet t’u jepet atyre”.

“Ne do të hetojmë dhe do të marrim hapat e duhur. Mbi 5000 persona nuk mundën të merrnin leje edhe pse i plotësonin kushtet. Në të ardhmen do të vendosim procedurë të qartë dhe precize për marrjen e armëve ekskluzivisht për qytetarët që i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për këtë”, tha ministri Toshkovski.

A duhet të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje?

Mbajtja e armëve pa leje i mundëson qytetarëve që zënkave verbale t’i japin përfundime fatale, me vrasje e kërcënime të natyrave të ndryshme. Armët pa leje janë mjetet përmes të cilave grupet e krimit të organizuar funksionojnë në dëm të shoqërisë. Prandaj, nuk do mend që sa më parë e më shpejt duhet të ashpërsohen dënimet e të rriten hetimet mbi zbulimin e armëve që mbahen pa leje, që nuk janë numër i vogël.

Sipas analizës së fundit të “Kërkimeve për armë të vogla”, në Maqedoninë e Veriut janë mbi 620 mijë armë zjarri, 450 mijë prej të cilave vlerësohet se janë pa leje. Sipas këtyre të dhënave, në 100 persona, 30 prej tyre posedojnë armë, tetë prej të cilëve kanë leje për to, ndërkaq 22 jo. Në këtë studim janë përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. Në mesin e 34 shteteve të përfshira në të dhënat e “Kërkimeve për armë të vogla”, Maqedonia e Veriut është radhitur e shtata sa i përket posedimit të armëve pa leje.

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për armët është miratuar më 2005. Ky ligj ndan në katër kategori armët. Në kategorinë A përfshihen armët e zjarrit që janë plotësisht automatike dhe që janë të ndaluara për përdorim civil. Kategoritë B dhe C përfshijnë armët e zjarrit gjysmëautomatike, pistoletat, pushkët dhe pushkët e gjahut që mund të blihen dhe qytetarët të pajisen për to me leje normale. Ndërkaq, kategoria D përfshin armët e ftohta, ajrore dhe zjarri që mund të blihen pa licencë, por duhet të regjistrohen.

“Për të marrë leje për armë zjarri në Maqedoni të Veriut, personi duhet të jetë së paku 18 vjeç, i aftë për punë, i shëndetshëm, të mos jetë i rrezikshëm për rendin publik, të ketë vendbanim të përhershëm në Maqedoni të Veriut, të ketë njohuri teknike për armët dhe rregulloret përkatëse dhe të ketë arsye të justifikuar për fitimin e një të drejte të tillë”, thuhet në këtë ligj.

Ndryshe, pretendohet që armët ilegale vijnë në vendet e Ballkanit Perëndimor si burim kryesor nga luftërat në ish Jugosllavi, dhe vjedhjet që janë bërë në depot e Shqipërisë gjatë vitit 1997.

Megjithatë, siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë.

Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë. Gjurmë të tjera nuk vërehen jo se vrasësit janë ekspert por se ekipet hetuese nuk e bëjnë punën e tyre si duhet. Kjo gjë tashmë është vërtetuar qindra herë. Prandaj, njëri ndër mekanizmat kryesor për ta rrit nivelin e sigurisë duhet të ulet numri i armëve pa leje. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More