Shkup, 16 shkurt – Të miturve që kanë rënë ndesh me ligjin në Maqedoninë e Veriut, shteti ndër vite iu shkel të drejtën për arsim të garantuar me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Deri më tani, askush nuk mban përgjegjësi për këtë shkelje. Portalb-i vizitoi Qendrën Përmirësuese në fshatin Vollkovijë ku aktualisht qëndrojnë 26 fëmijë.
Biseduam me të gjitha institucionet kompetente, nuk e dinë se si dhe në çfarë forme, por shpresojnë se nga viti i ardhshëm shkollor edhe këta fëmijë do të mund të kyçen në procesin arsimor, shkruan Portalb.mk.
Të vogël në moshë, por dëmet që i kanë shkaktuar këta fëmijë kanë lënë pasoja të mëdha.
Pjesa më e madhe janë të dënuar për vjedhje, vjedhje të rënda dhe grabitje. Por ka edhe të dënuar për vepra më të rënda kriminale si; tentim vrasje dhe sulm gjinor.
Një pjesë e tyre vijnë prej familjeve disfunksionale, prandaj në këtë qendër përmirësuese iu është bë mirë. Familjarët kanë të drejtë t’i vizitojnë fëmijët e dënuar, por për disa vijnë shumë rrallë e për disa tjerë, asnjëherë.
“Isha tani te prindërit, ka një muaj që jam kthyer, isha në pushim vjetor dhjetë ditë, shumë bukur kalova, edhe ata ishin shumë të kënaqur me mua, me atë që kam qene dikur jashtë. Por sigurisht se më munguan, prind janë, por duhet të mësohemi, për gjithçka në jetë ka durim. Durimin e kam mësuar këtu, unë jashtë aspak nuk kam pasur durim, menjëherë kam dashur që disa punë të ndodhin në moment, por këtu e mësova se duhet pak që të presish që të ndodhë diçka” u përgjigj ai.
Ka një këshillë për bashkëmoshatarët e tij.
“Duke marrë shkak nga vetja, iu them që të tentojnë të arrijnë në jetë, mos të bëjnë gjëra të këqija. Të përfundojnë shkollimin, më pas Zoti do iu mundësojë edhe punët tjera. Të arrijnë vetë, të mos presin nga askush” tha ai.
Djaloshi duket i penduar për kryerjen e veprës penale, arsyetohet me atë se “familjarët nuk kanë pasë mundësi të më mundësojnë një jetë më të mirë, andaj devijova”.
Fëmijët këtu mund të qëndrojnë më së paku 6 muaj ndërsa më së shumti 5 vjet. Megjithatë, nëse tregojnë shenja të përmirësimit, mund të lirohen edhe më herët. Për këtë, biseduam me udhëheqësen e Sektorit të Resocializimit, Natasha Ristovska.
“Fëmijët shpërfaqin ndjenjë të fajit, të pendimit, e spjegojnë atë moment të përfshirjes në grupin e fëmijëve që i ka shtyrë të kryejnë veprën penale, flasin për papjekurinë e tyre. Atyre u jepet mundësi të punojnë me veten, ndërsa sa më shumë kanë përparim, aq më herët mund ta lëshojnë këtë institucion” tha Ristovska.
Shteti ua shkel të drejtat themelore fëmijëve në këtë qendër përmirësuese
Këtyre fëmijëve asnjëherë nuk u është mundësuar proces i rregullt arsimor, për këtë arsye pjesa më e madhe që janë atyre janë plotësisht analfabetë.
Përkundër dëshirës që të vazhdojnë shkollimin kur të dalin nga ky institucion, kjo me shumë gjasë do të jetë e vështirë, në mungesë të një vërtetimi për kryerje të shkollës fillore.
“Shumë do të doja të arsimohem, këtë e kam qëllim jetësor, fillimisht dua të përfundoj shkollën, fakultetin, pas kësaj të punoj dhe gjithçka tjetër. Shkollimin do ta vazhdoj edhe jashtë, nëse ndodh që të shkoj në Zvicër, pasi kështu planifikoj” tha djaloshi i intervistuar nga Portalb-i.