Shkup, 19 korrik – Edhe pse në Maqedoninë e Veriut kemi pasur disa ministra shqiptarë në shëndetësi, sërish situata me spitalet, sidomos në zonat shqiptare mbetet ende e mjerueshme. Kushtet e vështira, mungesë e pajisjeve adekuate dhe mungesë e kuadrit të specializuar, janë problemet me të cilat më së shumti ballafaqohen qendrat shëndetësore në veri-perëndim të Maqedonisë së Veriut. Për çdo rast më elementar të sëmundjeve, pacientët dërgohen në kryeqytet, e kjo tregon se sa vështirësi dhe dobësi ka në funksionimin e sistemit shëndetësor në spitalet që janë jashtë Shkupit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Aktualisht, shëndetësia në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivelin e duhur dhe shumë rëndë po përballet me sfidat. Nuk është në nivelin, të cilin do të donim të ishte. Si shtet edhe para pandemisë ishim në krye të shteteve sa i përket sëmundjeve kardiovaskulare, kancerogjene e kështu me radhë, dhe kjo është mungesë e një koordinimi ndërmjet mjekëve amë, mjekëve të shndetësisë sekondare e terciare.
Vazhdimisht ka reduktime të programeve në shëndetësi dhe të themi se kemi një politikë të mirë shëndetësore, për ta bërë popullatën më të shëndetshme. Ende qytetarët duhet të gjejnë lidhje personale që të mund të marrin një shërbim të mirë shëndetësor. Ne duam të krahasohemi me Evropën, por me asgjë nuk e kemi merituar të krahasohemi, as për nga standardi, as nga arsimi i përgjithshëm dhe me asgjë tjetër.
Fatkeqësisht, kujdesi shëndetësor parandalues nuk është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, sepse për më shumë se një dekadë buxheti për kujdesin shëndetësor parandalues është vetëm 9 për qind nga i gjithë buxheti i Ministrisë. Me gjithë buxhetin e ulët, Ministria çdo vit shkurton rreth 10 për qind të këtij buxheti.
Rritja e çmimeve ka goditur edhe sektorin e shëndetësisë dhe kjo ka detyruar që mjekët të ankohen me qëllim rritjen e kuotës financiare për pacientë, por edhe kërkesa të tjera për të cilat kërkojnë zgjidhje tani një kohë të gjatë, shkruan “Zhurnal.mk”
Mjekët e ambulancave që kryesisht janë të vendosura nëpër fshatra dhe nëpër vendbanime shqiptare, detyrohen t’i dërgojnë pacientët për një punë të vogël te mjekët sekondarë dhe terciarë për të marrë raport. Kjo ndodhë sepse kështu e parasheh ligji, që do të thotë për çdo raport, pacienti duhet të niset nga fshati, ose nga një vendbanim i largët, të shkojë në ndonjë spital të qyteteve kryesore, me qëllim që të marrë raportin për ilaçe, apo për mjekim shtesë. Shpeshherë ballafaqohen me problemet e mungesës së terminëve të lira për incizime dhe analiza të thella, sepse i gjithë sistemi është i koncentruar vetëm në shëndetësinë sekondare ose terciare.
Aktualisht ka shumë se 400 ambulanca në vendbanime të ndryshme jashtë kryeqendrës, janë në prag të mbylljes për shkak të krizës financiare, ku numri i pacientëve është më i vogël.
Mjekët familjarë, vazhdimisht kërkojnë zgjidhje ligjore që do të mundësojë funksionimin e ambulancave edhe pas pensionimit të mjekëve amë, përkatësisht drejtimin e tyre nga mjekë të rinj që nuk do të kenë nevojë nga e para t’i regjistrojnë pacientët e tyre.
Nga ana tjetër, mjekët e rinjtë nuk e shohin perspektivën e tyre në Maqedoninë e Veriut jo vetëm për shkak të pagave të ulëta, por në masë të madhe dhe për shkak të kushteve të këqija në vendin e punës. Parametrat kryesor të cilat duhet të korrigjohen janë shumë të mëdha. Puna e parë është që të përmirësohen kushtet e punës së mjekëve, pra jo vetëm se duhet rritur pagat, por edhe kushtet duhet të jenë më të volitshme. Duhet të përmirësohet dhe procesi i zhvillimit profesional të mjekëve dhe personeli mjekësor duhet të krijohen kushte që të paguhet në bazë të punës që e bën. Kjo rezulton me faktin se ulja e stafit mjekësor ka bërë që të ulet dhe cilësia e shërbimeve për shkak të mungesës së kapaciteteve, shkruan “Zhurnal.mk”
Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë mbi 17 qendra lindjeje, por pjesa më e madhe e lindjeve bëhen në Shkup për shkak të mungesës së anesteziologëve, dhe në momentin që paraqitet shtatzëni me rrezik të lartë, pacientet drejtohen kah kryeqendra, Shkupi.
Nëse si shembull merret rajoni i Rekës që përfshin dhjetëra fshatra, femrat në këtë rajon për të arritur te gjinekologu më i afërt, duhet të shkojnë në Kërçovë, Gostivar, Strugë ose Dibër. Çka ndodh atje? Thua se nuk ka gra shtatzëna. Në mënyrë të ngjashme qëndron situata edhe në pjesë tjera të Maqedonisë së Veriut.
Sipas disa analizave të herëpashershme që dalin në publik, mungon kuadër i specializuar prej së paku 150 gjinekologësh, ndërsa nga rreth 150 mjekë të tjerë që aktualisht janë gjinekologë, 50 prej tyre punojnë në kryeqytet. Kështu që pjesa më e madhe e grave në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut dhe vise rurale, nuk mund të kryejnë as kontrollet më të thjeshta, të cilat mund të bëhen te gjinekologu amë.
Andaj, mjetet e parapara për shëndetësinë sa i përket investimeve kapitale për të përmirësuar infrastrukturën e institucioneve shëndetësore janë kozmetike, sepse mjetet në këtë drejtim nuk mjaftojnë për tu bërë përmirësime të dukshme në raport me shërbimet shëndetësore që marrin qytetarët, shkruan “Zhurnal.mk”.