Agjencia Zhurnal.mk
Shëndetësi

“AstraZeneca” dhe tromboza, cila është në të vërtetë ndërlidhja

Shfaqja e rasteve të mpiksjes së gjakut ka nxitur ndërprerjen e përdorimit të vaksinës kundër COVID-19 të “AstraZenecas” në disa shtete. Por për çfarë raste të trombozës bëhet fjalë? Dhe a ishte i tepruar reagimi?

Sipas rekomandimit të Komisionit Kombëtar për Imunizim, Gjermania ka marrë vendim që përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 i kompanisë farmaceutike “AstraZeneca” të mos u jepet personave më të rinj se 60 vjeç. Instituti gjerman “Paul Erlich” ka evidentuar 31 raste të shfaqjes së një lloji të rrallë të trombozës, pas vaksinimit. Ndërkaq, nga ky shkak janë regjistruar nëntë raste të vdekjes.

Çfarë saktësisht ndodh në organizëm?

Tromboza e rrallë në tru është shfaqur në mesin e 31 rasteve, prej gjithsej 2.7 milionë të vaksinuarve me dozën e parë dhe 767 të tjerëve që e kanë marrë edhe dozën e dytë të kësaj kure kundër infeksionit me koronavirus. Njëherësh, mes 19 personave është evidentuar mungesë e trombociteve, gjë kjo që mund të ndikojë në trombozë apo mpiksje të gjakut.

Në rastin e trombozës në tru, mpiksja e gjakut shkakton ngujim të qarkullimit të gjakut në tru, e cila drejt zemrës përçon sasi të gjakut me mungesë të oksigjenit. Për këtë arsye, në tru rritet presioni dhe kjo gjë mund të shpjerë drejt gjakrrjedhjeve shtesë, e madje edhe në sulm fatal në tru.

Deri më tani, ky lloj i trombozës ka qenë i rrallë. Prej miliona personave, brenda një viti raste të ngjashme regjistroheshin vetëm midis dy deri në pesë persona. Megjithëkëtë, studimet më të fundit kanë treguar se ky lloj i trombozës është shpeshtuar – llogaritet se aktualisht janë 15.7 raste mes një milion persona.

Paul Hunter, profesor i shëndetësisë në Universitetin e Anglisë Jugore, ka thënë se kjo do të nënkuptonte se numri i rasteve është nënvlerësuar për katër deri në tetë fish.

A është secila trombozë e njëjtë?

Nga mesi i muajit maj, në Gjermani është urdhëruar ndërprerja e përkohshme e përdorimit të vaksinës së “AstraZenecas” dhe që atëherë është ndezur një debat i nxehtë lidhur me çështjen. Tema është shndërruar në çështjen kryesore të diskutimeve nëpër rrjetet sociale.

Është shtruar përherë e më shumë pyetja se pse në 1.100 rastet e trombozës mes një milion grash që kanë marrë ilaçe kontraceptive edhe më tutje jepen ilaçe kundër mpiksjes, ndërsa në shtatë rastet e trombozës mes 1.6 milionë të vaksinuarve, ndalet vaksinimi?

Eksperti për çështje shëndetësore në Partinë Socialdemokrate (SPD) në Gjermani, Karl Lauterbach, e ka kritikuar publikisht këtë krahasim, duke pretenduar se tromboza e rëndë në tru nuk është e krahasueshme me rastet e trombozës pas ilaçeve. Ilaçet kontraceptive shkaktojnë trombozë më së shpeshti në këmbë. Mpiksja e gjakut që krijohet aty, në rast se nuk trajtohet, mund të depërtojë në mushkëri.

Peter Berlit, sekretar i përgjithshëm në Asociacionin gjerman për Neurologji, ka thënë se gratë goditen më shpesh sesa burrat nga tromboza dhe se në këtë gjë, sipas të gjitha gjasave, rol të theksueshëm luajnë hormonet.

“AstraZeneca”: shqetësim i arsyeshëm?

Komisioni gjerman për Imunizim ka publikuar më 30 mars rekomandimin që personat më të rinj se 60-vjeç mos të vaksinohen me kurën e “AstraZenecas”. Në njoftimin e Komisionit thuhej se rastet e trombozës janë përnjëmend të rralla, por se kanë pasoja të rënda dhe atë kryesisht për personat më të rinj se 60 vjeç.

Megjithëkëtë, ende nuk janë bërë hulumtime të mjaftueshme për të përcaktuar se si shkaktohet ky lloj i trombozës dhe se çfarë lidhje ka me vaksinën.

Shkencëtarët gjermanë nga Graiffswaldi kanë përshkruar në fund të marsit mekanizmat e mundshëm. Në gjakun e katër grave, mes të cilave është konstatuar tromboza pas vaksinimit, janë gjetur antitrupa që kanë aktivizuar trombocitet. Kësisoj është gjeneruar mpiksja e gjakut që ka shpjerë në trombozë. Mirëpo, ky përfundim ende nuk është vërtetuar nga ekspertët e pavarur.

Robert Klamrot, mjek në repartin e mjekësisë interne në klinikën “Vivantes” në Berlin ka thënë se pasqyra e plotë e problematikës ende mungon.

“Mirëpo shtrohet pyetja se cila konstatime të përkohshme mund t’i nxjerrim nga krejt kjo”, ka thënë ai. Ndërkaq ka shtuar se rezultatet janë duke e përforcuar dyshimin se ekziston një lidhje midis vaksinës dhe trombozës.

Alis Asinger nga Universiteti i Mjekësisë në Vjenë megjithatë nuk është e këtij mendimi. Ajo ka bërë të ditur se vaksina nuk ndërlidhet me rrezikun.

“Nëse e marrim parasysh numrin e madh të vaksinimit, atëherë është evidente se rastet e trombozës janë shumë të rralla dhe se rreziku është i vogël. Kurrë deri më tani, një numër kaq i madh i njerëzve nuk është vaksinuar brenda një periudhe kaq të shkurtër, dhe pikërisht për këtë shkak është mundësuar identifikimi i rasteve të rralla të efekteve të padëshiruara”, ka thënë Asinger.

Edhe vet infeksioni me koronavirus e prodhon rrezikun nga tromboza. Sipas të gjitha gjasave, organizmi i njeriut i aktivizon disa mekanizma mbrojtës, të cilët nxisin ndryshime në qarkullimin e gjakut dhe në rritjen e rrezikut nga tromboza.

Cili vendim është i duhuri?

Në Britaninë e Madhe, vaksinën e “AstraZenecas” deri më tani e kanë marrë mbi 13.7 milionë persona, ndërkaq janë identifikuar katër raste specifike të trombozës në tru.

Johanes Oldenberg, kryetar i këshillit drejtues të Asociacionit gjerman për Hulumtimin e Trombozës dhe Hematozës (GTH), ka thënë se shpjegimi i mundshëm për këtë do të mund të ishte fakti se në Britani me këtë vaksinë janë injektuar fillimisht më të moshuarit, tek të cilët nuk janë shfaqur komplikime të tilla.

Agjencia Evropiane për Barna (EMA) ka paralajmëruar për javën e ardhshme rekomandime shtesë për vaksinën. Përgjatë gjithë Evropës janë regjistruar 59 raste të trombozës në tru, për të cilat dyshohet se përkojnë me efektet e padëshiruara anësore të vaksinës. Agjencia ka njoftuar së fundi se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet prej saj.

Çfarë duhet të dinë personat e vaksinuar?

Të gjithë personat e vaksinuar me kurën e “AstraZenecas”, sipas sekretarit të përgjithshëm të Asociacionin gjerman për Neurologji, duhet të kenë veçanërisht kujdes për disa simptoma.

“Personat që gjatë dy deri në tri javët e para të pas vaksinimit kanë kokëdhembje të fortë duhet patjetër që të shkojnë për kontroll te mjeku”, ka thënë Berlit.

Ai ka shtuar se edhe njollat rrumbullakore të kuqe në lëkurë do të mund të ishin tregues të trombozës. Por, ka paralajmëruar se askush nuk do të duhet frikësuar nëse ka kokëdhembje dyorëshe.

Postime të ngjashme

Organet pa të cilat mund të jetojmë

Dafina Vidishiqi

Si kufjet mund të dëmtojnë ngadalë dëgjimin, me kalimin e kohës!

Dafina Vidishiqi

Ndikimi i temperaturave të larta në shtypjen e gjakut

Dafina Vidishiqi

Vetitë e kivit në zbardhjen e lëkurës/ Mënyra natyrale në shtëpi

Lea Muslija

Koreja e Jugut do t’i përziejë dy vaksina të ndryshme për shkak të vonesës në furnizim

Lea Muslija

Tymosja e tepruar e marihuanës ju bën ‘dështak’

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...