Ata që janë vaksinuar me Moderna mund të mos kenë nevojë të marrin një dozë të tretë!

SHBA po ofron “doza përforcuese” të vaksinës kundër COVID-19 të Pfizer për dhjetëra miliona njerëz që janë vaksinuar plotësisht me këtë vaksinë për të paktën gjashtë muaj.

Dozat përforcuese rekomandohen më së shumti për të rriturit e moshës 65 vjeç e lart, të cilët në përgjithësi nuk kanë të njëjtin lloj reagimi imunitar të fortë dhe të qëndrueshëm ndaj vaksinave si të rinjtë.

Por nuk ka asnjë udhëzim federal nëse njerëzit që kanë marrë vaksinat COVID-19 të Moderna ose Johnson & Johnson mund të kenë nevojë për “një dozë përforcuese”, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.

Sipas këtij mediumi, dëshmitë e reja sugjerojnë se njerëzit në “#TeamModerna” mund të mos kenë nevojë për një “përforcues” aq shumë sa të tjerët.

Javën e kaluar, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, lëshuan grupe të të dhënave nga spitalet në të gjithë vendin.

Këto të dhëna kanë filluar të tregojnë se njerëzit që morën vaksinën e Moderna-s kanë më pak të ngjarë të shtrohen në spital sesa njerëzit që morën Pfizer ose Johnson&Johnson.

Një raport tjetër i CDC i lëshuar më herët në shtator sugjeroi që vaksina me dy doza Moderna uli rrezikun e shtrimit në spital me 93%. Për vaksinën e Pfizer ajo shifër ishte 88%, dhe për Johnson&Johnson ishte 71%.

Dr Robert Atmar, i cili po udhëheq një studim kryesor për “dozat shtesë” në Kolegjin e Mjekësisë Baylor, tha se ndërsa ai nuk do të ishte i befasuar nëse marrësit e vaksinave J&J do të merrnin një rekomandim përforcues së shpejti, ndërsa “për Moderna, është një çështje e hapur”.

Kështu, vë në pah Business Insider, mbrojtja që ofron vaksina Moderna kundër shtrimit në spital duket se zgjat më shumë se ajo e vaksinave të tjera.

Këto të dhëna, shkruan më tej mediumi në fjalë, të mbledhura nga spitalet në 20 qytete, sugjeruan që vaksina e Moderna-s mbronte njerëzit nga shtrimi në spital për më gjatë sesa vaksinat e Pfizer dhe Johnson&Johnson.

Pas katër muajsh, vaksina e Moderna-s mbeti 92% efektive në parandalimin e shtrimit në spital, ndërsa ajo e Pfizer ishte 77% efektive dhe J&J ishte 68%.

Dhe një arsye pse vaksina e Modernës mund të mbajë më mirë në mbrojtjen afatgjatë është doza e saj më e lartë.

Siç bëhet e ditur, vaksina e Moderna-s përbëhet nga 100 mikrogramë të vaksinës mRNA, ndërsa ajo e Pfizer ka 30 mikrogramë.

Kjo mund të nënkuptojë efekte anësore më të lehta për vaksinën e Pfizer – por në planin afatgjatë, mbrojtja mund të mos jetë aq e fortë.

Veç këtyre, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi, një studim i spitaleve në New York, Minnesota, Wisconsin, Utah, California, Oregon, Washington, Indiana dhe Colorado zbuloi se vaksina e Moderna-s ishte e lidhur me një përqindje më të ulët të shtrimeve në spital sesa ajo e Pfizer ose J&J midis njerëzve të vaksinuar.

Një mundësi tjetër është që intervali katër javor midis dozave të Moderna-s të jetë më i mirë sesa pritja tre javore midis atyre të Pfizer.

Sidoqoftë, të dy vaksinat janë akoma të shkëlqyera në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe shtrimin në spital, veçanërisht në të rriturit nën 65 vjeç.

Por të dhënat nga pesë qendra mjekësore të “rasteve të veteranëve” në SHBA sugjeruan që vaksina e Moderna-s ishte superiore në mbrojtjen e të rriturve, me një efektivitet prej 87% kundër shtrimit në spital në pacientët 65 vjeç e lart. Vaksina e Pfizer ishte 77% efektive në të njëjtin grup.

Që kur varianti Delta filloi të shfaqej në SHBA, marrësit e vaksinave të Moderna dhe Pfizer janë sëmurë më shpesh.

Por efektiviteti i vaksinës Moderna kundër shtrimit në spital për njerëzit mbi 30 vjeç duket pak më i fortë – tani për tani.

Këto vlerësime të efektivitetit të vaksinave, të ndara sipas grupmoshës, vijnë nga të dhënat për mbi 74,000 shtrime në 187 spitale në mbarë vendin, shkruan BI.

Aty, thekson BI, ne mund të shohim se Moderna ishte më e mirë se Pfizer tek të rriturit 30 deri në 64. Nga qershori deri në gusht, efektiviteti i vaksinës së Moderna-s kundër shtrimit në spital ishte 99% tek 30-49 vjeç dhe 91% midis 50-64 vjeç.

Ndërsa vaksina e Pfizer gjatë së njëjtës periudhë ishte afërsisht 82% efektive në mesin e 30-49 vjeç dhe 84% efektiv në mesin e 50-64 vjeç.

Në të rriturit 18 deri në 29 vjeç, të dy vaksinat performuan pothuajse identikisht, me efektivitetin e vaksinës kundër shtrimit në spital prej 82% për Moderna dhe 85% për Pfizer.

Pavarësisht këtyre, vlerëson shkrimi në fjalë, është e vështirë të dish saktësisht se si ardhja e variantit Delta në pranverë mund të ndikojë në funksionimin e mirë të vaksinave.

Sido që të ndani të dhënat, të gjitha vaksinat janë ende shumë efektive në punën e tyre kryesore: mbajtja e njerëzve gjallë dhe jashtë spitalit.

Por të rriturit e moshuar mbeten më të prekshëm ndaj rezultateve të rënda të COVID-19, edhe kur vaksinohen.

Këto të dhëna, thuhet në fund të shkrimit të BI, të marra nga më shumë se 250 spitale në 14 shtete, kombinojnë efektivitetin e vaksinave të Pfizer dhe Moderna kundër shtrimit në spital në një tabelë.

Ato tregojnë se shumica dërrmuese e rasteve dhe vdekjeve të COVID-19 në shkallë vendi janë në mesin e njerëzve të pavaksinuar.

Andaj, drejtoresha e CDC, Rochelle Walensky gjatë një konferencë për Shtëpinë e Bardhë për COVID-19 të premten tha: “Më të prekshmit janë ata të pavaksinuarit”.

Related posts

Takimi Biden-Zelenski bisedime mbi çështjet e energjisë dhe sigurisë

N E

Sidnej zgjat masën e izolimit, për shkak të koronavirusit

Redaksia

Save the Children: Mesatarisht çdo 5 orë një fëmijë vritet ose gjymtohet në Afganistan

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More