Kur kanë kaluar pesë vite nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, Prokuroria e Posaçme SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim.
Si rezultat i këtyre hetimeve disa vjeçare, SPAK ka arritur që të dokumentojnë rolet e të gjithë personave të përfshirë në këtë atentat, i cili i mori jetën shoferit Andi Maloku, e ndërsa la të plagosur prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, një person i njohur në botën e krimit.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, bazuar dhe në analizën e komunikimeve të kriptuara, janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjithashtu, këta persona janë përpjekur edhe që t’u mbyllnin gojën të arrestuarve që të mos zbulonin të gjithë bashkëpunëtorët.
“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, vijon njoftimi.