Fitorja e kandidatit të Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, ka sjellë reagime nga politikanë të ndryshëm të Greqisë, të cilët kontestojnë fituesin e zgjedhjeve në Himarë duke u bazuar në argumentet e opozitës shqiptare. Media e njohur greke, Ekathimirini, citon burime të saj diplomatike, të cilët përpiqen t’i kujtojnë Shqipërisë rrugën europiane dhe zbatimin e rregullave të përbashkëta të BE për integritetin e procesit zgjedhor.
“Ankesat e bëra nga pjesëtarët e pakicës etnike greke në Shqipëri për kushtet në të cilat u mbajtën zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Himarës, veçanërisht pas mohimit të së drejtës kushtetuese për të votuar mijëra njerëz me pretekstin e skadimit të kartave të tyre të identitetit, ngrenë dyshime serioze për integritetin e procesit”.
Burimet e cituara nga Ekathimirni e lidhin procesin e zgjedhjeve në Himarë me rrugën europiane të Shqipërisë. Ato shkojnë më edhe më tej kur paralajmërojnë një të ardhme të pasigurt për Shqipërinë.
“Nuk dihet se çfarë do të sjellë e ardhmja, por shumë në Athinë besojnë se, edhe pas lirimit të pashmangshëm të Belerit, Greqia duhet të mbajë një qëndrim parimor. Dhe kjo përkundër faktit se rrethanat aktuale kërkojnë ruajtjen e kapitalit diplomatik, për shkak të zhvillimit paralel të krizës me Maqedoninë e Veriut”, citon Ekathimirini.
Vangjel Tavo, fitoi Bashkinë e Himarës me 58.62% të votave, kundrejt 41.38% të Petraq Gjikurisë, kandidatit të opozitës shqiptare.