Agjencia Zhurnal.mk

Austria planifikon ‘Dhjetë urdhëresa’ për refugjatët

Refugjatët në Austrinë e Poshtme pritet të trajtohen nga autoritetet rajonale me “Dhjetë Urdhëresat e Imigrimit”. Pjesë e dekreteve është një kërkesë që emigrantët duhet të tregojnë mirënjohje për Austrinë.

Landi federal i Austrisë së Poshtme kërkon që azilkërkuesit në të ardhmen të nënshkruajnë rregullat e sjelljes me titull “Dhjetë Urdhëresat e Imigracionit”. Politikani populist i partisë së djathtë FPÖ, Gottfried Waldhäusl, i cili është përgjegjës për çështjet e azilit në qeverinë e Austrisë së Poshtme e paraqiti këtë propozim në një konferencë shtypi në kryeqytetin e landit St. Pölten.

Sipas kësaj, kodi i sjelljes përmban rregulla të tilla si “Duhet të mësosh gjuhën gjermane”, “Duhet t’u bindesh ligjeve austriake”, “Konfliktet ti duhet t’i zgjidhësh pa dhunë” dhe “Ti duhet të jetosh me mirënjohje ndaj Austrisë”

Tregon si “funksionon Austria”

Sanksione për rastin kur dikush nuk u përmbahet rregullave nuk ka, theksoi fermeri i kualifikuar Waldhäusl. Për urdhëresat është menduar pozitivisht. “Ne u japim këtyre njerëzve mbrojtje të përkohshme dhe çdo gjë për të cilën kanë nevojë. Por ne gjithashtu presim njëfarë mirënjohjeje.” Çdo azilkërkues duhet të informohet që në krye, “për mënyrën si funksionon Austria”.

Më parë, Waldhäusli kishte informuar për projektin e tij gazetën gjermane “Die Welt”. Sipas tij, azilkërkuesit duhet të marrin pjesë në të ashtuquajturat “kurse për vlerat” dhe në projekte integrimi, të cilat do të ofrohen në 15 gjuhë të ndryshme. Politikani i FPÖ-së nuk bëri të ditur se kur duhet të zbatohen këto plane.

Dhe ja si funksionon Gottfried Waldhäusl

Waldhäusli vetë tërhoqi vëmendjen pak muaj më parë, sepse dha urdhër që të strehoheshin refugjatë të mitur të pashoqëruar në një strehimore azili, të rrethuar me tela me gjemba dhe të ruajtur me roje. Të rinjtë lejoheshin të largoheshin nga strehimorja vetëm të shoqëruar. Pas kritikave të Prokurorisë për Fëmijët dhe të Rinjtë të Austrisë së Poshtme, kryetarja e Landit, Johanna Mikl-Leitner (ÖVP) urdhëroi transferimin e të rinjve.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...