Ministria Izraelite e Transportit njoftoi se një avion i kompanisë ajrore Etihad Airway të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) përdori për herë të parë hapësirën ajrore të Izraelit, transmeton Anadolu Agency.
“Ngjarje historike në qiellin e Izraelit: Fluturimi i avionit të kompanisë Etihad Airway nga Milano në Abu Dhabi po ndodh për herë të parë në këto minuta në koordinim me autoritetin e aviacionit të Ministrisë së Transportit (të Izraelit)”, shkroi në Twitter ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev.
Regev e konsideroi këtë ngjarje si një nga frytet e marrëveshjes së normalizimit midis Izraelit dhe EBA-së.
Sipas raportimeve në mediat izraelite, një linjë e aviacionit komercial të drejtpërdrejtë midis Izraelit dhe EBA-së pritet të nisë në muajt e parë të vitit 2021.
Dy ditë më parë, anija e parë e mallrave nga EBA mbërriti në Portin e Haifas.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi më 13 gusht arritjen e marrëveshjes midis Izraelit dhe EBA-së për normalizimin e marrëdhënieve dhe më 11 shtator midis Izraelit dhe Bahreinit.
Marrëveshjet e dy vendeve me Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator.