Agjencia Zhurnal.mk
Kosovë

Avokati i Veselit kundërshton propozimin e prokurorisë: Gjyqi s’ka si të fillojë para qershorit të 2022-ës

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e ka kundërshtuar propozimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi ndaj katërshës së UÇK-së të nisë në verën e vitit 2021.

Ai, në konferencën për ecurinë e çështjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ka thënë se janë çuditur dhe zhgënjyer nga kërkesa e prokurorisë.

“Sa i përket afateve kohore të detyrimeve të prokurorisë gjatë fazës paraprake dhe hetimeve të mbrojtjes sigurisht që testi për këtë është mjaftueshmëria e kohës dhe mjeteve që i ofrohen të akuzuarve të përgatisin mbrojtjen. Nuk ka afat të përcaktuar kohor, por duhet ndërmarrë një qasje e arsyeshme duke përdorur si udhëzues themelor të drejtën themelore në nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut – duhet të ketë barazi armësh midis prokurorisë dhe mbrojtjes dhe nivel i përshtatshëm proporcionaliteti, si dhe mbrojtja duhet të ketë kohë dhe mjete të mjaftueshme për të shqyrtuar dhe përgatitur mbrojtjen pasi të kenë marrë hollësitë e akuzave në mënyrë që të bëjnë hetim efektiv”.

“Unë mendoj që këto parime themelore janë të pakundërshtueshme. U çuditëm dhe u zhgënjyem që prokuroria sugjeron, në parashtrimin me shkrim, që gjyqi mund të fillojë pak kohë pasi të nxirren dokumentet e para. Po kështu u çuditëm dhe u zhgënjyem që avokatja e prokurorisë u përpoq që të justifikonte që tani të akuzuarit i dinë akuzat që ka paraqitur prokuroria. Ky është një pozicion i jashtëzakonshëm që ndërmerr prokuroria, sidomos duke pasë parasysh se sa të rëndësishme dhe të rënda janë akuzat që janë bërë. Ky është një indikacion sesa të sinqertë janë prokuroria në qasjen e tyre”.

Emmerson ka deklaruar se bazuar nga përvojat e gjykimeve të mëhershme kundër anëtarëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës mbrojtjes do t’i duhen së paku 18 muaj hetime – pasi të njihen me akuzat.

“Është e qartë, bazuar në përvojat e gjykimeve në Tribunalin Penal për ish-Jugosllavi që janë marrë me Kosovën dhe akuzat kundër anëtarëve të UÇK-së, që gama dhe natyra e hetimeve që kërkohen të bëhen nga mbrojtja do të jenë mjaft të mëdha. Do të jenë të shumta dhe të mëdha, sepse aktakuza e prokurorisë është ndërtuar me arna – janë bashkuar disa akuza të ndryshme nga zona të ndryshme të Kosovës, janë përmendur shumë emra njerëzish dhe njerëz të ndryshëm që pretendojnë që kanë qenë anëtarë të UÇK-së kanë sajuar këto akuza dhe janë bashkuar të gjitha këto në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, që e paraqet prokuroria. Përvoja e mëparshme na ka treguar që mund të ketë prova false që janë paraqitur në shumë raste nga prokuroria. Ndoshta prokuroria s’e di që kanë qenë false, por neve na duhet të bëjmë ekzamimin forenzik të fakteve që paraqet prokuroria”.

“Që ta dëgjojmë nga avokatja e prokurorisë që thotë se mbrojtja i di se cilat janë akuzat ndaj të akuzuarve është tronditëse. Realiteti është që ne pasi të njihemi me akuzat, që janë paraqitur kundër nesh, do të na duhen minimum 18 muaj hetime. Këtë vlerësim s’e kemi nxjerrë nga mendja jonë, por e kemi nxjerrë mbi bazën e gjykimeve të mëparshme nga Tribunali i Hagës ku janë bërë gjyqe për anëtarë të UÇK-së që kishin model të njëjtë, por ishin shumë më të ngushta në fushëveprimin e tyre”.

“Prokuroria ka pasë pesë vjet që të hetojë këto çështje ashtu si edhe burime të pakufizuara, prandaj gjykatësi i procedurës paraprake duhet të vendosë balancën këtu që palët të mos zhgënjehen nga kjo mungesë proporcionaliteti dhe nuk duhet bërë sugjerimi që nuk duhen bërë hetime nga ana e mbrojtjes. E mbështesim sugjerimin e David Hooper [avokati i Hashim Thaçit] që gjyqi nuk ka si të fillojë para qershorit të vitit 2022, që është më e hershmja që mund të fillojë, madje mendoj se realisht nuk mund të fillojë as atëherë”.

Ai ka propozuar që hetimet të bëhen nga hetues ndërkombëtarë me përvojë që do t’i hetojnë akuzat një nga një.

Postime të ngjashme

Riaktualizohet çështja e bartjes së shamisë në shkolla

Dafina Vidishiqi

Personat e dënuar në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojnë as në zgjedhjet lokale

Dafina Vidishiqi

Vaksinohen Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Dafina Vidishiqi

Lekaj: Qeverisë Kurti nuk po i intereson qytetari

Dafina Vidishiqi

Përfaqësuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën: Jam lodhur dhe sëmurë duke folur për vizat

Dafina Vidishiqi

Hidhet një pako në drejtim të qendrës së paraburgimit në Prizren

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...