“Si avokate që jeni, fillimisht i përfundoni punët administrative dhe më pas dilni të shitni shega!? Po. Ndjeheni në siklet ndonjëherë? Jo, asnjëherë. Nuk ndjehem në siklet pasi punoj me ndershmëri, po, të rralla janë këto raste por unë nuk turpërohem nga puna”, u shpreh Lejla Rajkova – avokate.
Lejla Rajkova, me profesion është avokate por pas përfundimit të punëve administrative del në treg për të shitur shegë të cilat i kultivon së bashku me anëtarët tjerë të familjes.
“Kryesisht këtu burri del që të shet prodhimin por kur mundëm edhe unë dal i ndihmoj, e zëvendësoj. Ndryshe, burri, vjehrri, dalim këtu në tezgë dhe shesim prodhimet tona. Të njohin njerëzit meqë je avokate? Po, me njohin. Dhe çfarë të thonë? Më thonë të lumtë”, tha Lejla Rajkova – avokate.
Thatësira dhe temperaturat e larta këtë vit kanë ulur ndjeshëm kualitetin e shumë kulturave bujqësore e po ashtu kjo ka ndikuar edhe në kualitetin e shegëve. Por problemi më i madh sipas Lejlës është plasmani i garantuar.
“Këtë vit, kualiteti i shegëve është ulur ndjeshëm edhe pse ka shumë prodhim por i nxehti ka ulur kualitetin shumë edhe pse është ujitur shumë. Problemi çdo vit me shegët është ajo që nuk ka garancë të shitjes, çdo bujk gjen vetë plasmanin e shegës që ta shes, çmimi fillestar këtë vit është 50 denarë me shumicë. Qyteti jonë Vallandova, ka shegën më të mirë dhe kultivohet vetëm në qytetin tonë”, tha Lejla Rajkova – avokate.
Familja e Lejlës kultivon disa lloje të shegëve, por më të njohurat janë shegët të quajtura Bejnari dhe Karamustafa, ndërsa për punën fizike dhe bujqësinë si punë të dytë, Lejla thotë se gjen qetësinë aty dhe e bën me shumë dashuri, ndërsa nga shteti kërkon që të ndihmoje më shumë gratë që merren me bujqësi.
“Puna fizike i çlodh mendimet dhe shpirtin dhe çdokush kemi nevojë pas kësaj jete stresuese dhe pas çdo ditë të ngarkuar, atje është relaxi, atje çlodhësh nëse ke dëshirë të bësh atë. Të gjithë këtë që bëj është bërë me shumë dashuri, dhe për atë ka edhe rezultat. Kam qenë në panaire të ndryshme dhe kemi shumë klient, vinë njerëzit na njohin dhe blejnë” – Lejla Rajkova – avokate.
Çmimi i shegës këtë vit me pakicë për një kilogram shkon mbi 100 denarë.