Azeski: Ballkani të hapet, historia të mbyllet, biznesi të bashkohet

Shkup, 28 korrik – Mjaft më me mbyllje, korrupsion, ekonomi gri dhe fuqi të lire punëtore. Nuk duam më poshtërim se jemi të paaftë të integrohemi në bashkësinë ndërkombëtare dhe që dikush nga jashtë duhet gjithmonë të zgjidhë problemet tona. Ne kërkojmë të hapet Ballkanin, të mbyllet historia, të bashkohet biznesi dhe të arrijmë implementimin pavarësisht nga rezistenca e forcave konservatore, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski në një intervistë të shkurtër për MIA-n. me rastin e Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal që do të mbahet nesër në Shkup.

 

Në intervistë, Azeski vlerëson se është e nevojshme që rajoni të dale sa më shpejt nga procesi shkatërrues i “ballkanizimit”.

Sipas tij, elitat aktuale politike të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë vullnet për të zgjidhur problemet ekonomike, por biznesmenët duhet ta përdorin atë dhe të ndërmarrin hapin e nevojshëm për integrim të suksesshëm.

Kryetari i Odës është decid që zgjatja e negociatave me BE-në shkakton dëme, por dëmi më i madh është pasiguria që praktikisht “vret” biznesin. “Udhëheqësit evropianë duhet t’i qasen këtij procesi në mënyrën më të përgjegjshme dhe profesionale sepse mund të vihen në dyshim durimi dhe prirja e biznesit drejt vlerave evropiane”, thekson Azeski në intervistë.

Zoti kryetar, nesër në Shkup do të mbahet Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal ku pritet të marrin pjesë mbi 400 kompani nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, por edhe nga BeH, Austria, Polonia, Greqia. Liderët politikë do të jenë gjithashtu të pranishëm. Cili do të jetë mesazhi që do të dërgoni si komunitet biznesi?

Mesazhi ynë do të jetë i qartë dhe do të kërkohet “hapja e Ballkanit, mbyllja e historisë, bashkimi i biznesit dhe qëndrueshmëri në implementim pavarësisht nga rezistenca e forcave konservatore”.

Ne nuk duam më poshtërim se jemi të paaftë të integrohemi në bashkësinë ndërkombëtare dhe që dikush nga jashtë duhet gjithmonë të zgjidhë problemet tona.

Biznesmenët e shohin pamjen e madhe dhe ndërtojnë ura midis koncepteve feudale të vendeve të zhgënjyera në Ballkan dhe për shkak të kësaj mjaft më me mbyllje, korrupsion, ekonomi gri, fuqi të lire punëtore.

Qëllimi i të gjitha nismave të mëparshme të përmendura para samitit, janë katër liritë – qarkullimi i lirë i mallrave, i shërbimeve, i njerëzve dhe i kapitalit, por çështja thelbësore është zbatimi i tyre, respektivisht implementimi. Kjo u tregua edhe në samitin e fundit në Berlin, në të cilin nuk u arrit asnjë marrëveshje për ndonjë vendim në lidhje me operacionalizimin e parimeve të këtyre katër lirive, sepse gjithmonë kishte ndonjë bllokim të administratës apo anulim.

Mini Shengen – Procesi i Berlinit. Shumë nisma, çështje të vjetra 20-30 vjeçare. A do të ketë më në fund një realizim dhe kur? Njohja e ndërsjellë e certifikatave, dokumenteve të eksport-importit, lejeve të punës, qarkullimit më të shpejtë të mallrave, janë vetëm disa nga çështjet e ndezura për vendet e Ballkanit Perëndimor që janë akoma të vonuara dhe të pazgjidhura. Çfarë prisni në këtë pikëpamje nga Forumi dhe a mjaftojnë vetëm angazhimet deklarative?

Sektori privat dëshiron që në kohën e digjitalizimit, të ketë zgjidhje më të sofistikuara për monitorimin e veprimtarive kriminale të paligjshme, për të eliminuar pikat kufitare dhe radhët e gjata të kamionëve, të cilat ekzistojnë vetëm në vendin tonë.

Na duhen hapa konkretë që thjesht do të zgjidhin çështjen e infrastrukturës midis vendeve tona, mundësojnë njohjen reciproke të certifikatave dhe dokumenteve të tjera, praninë e përbashkët në tregjet e treta, produktet e përbashkëta, eliminimin e ekonomisë gri dhe korrupsionin, zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

Po sikur marrëveshjet për ndryshimin e emrit të nismës “Mini Shengen” të nënshkruhen, siç njoftoi presidenti serb Vuçiq? A do të ndryshojë diçka thelbësore në praktikë? Vuçiq gjithashtu njoftoi nënshkrimin e marrëveshjeve për krijimin e “korsive të shpejta” speciale në pikat kufitare për qarkullim më të shpejtë të qytetarëve nga rajoni…

Për të arritur këtë, do të jetë e nevojshme të dalim sa më shpejt që të jetë e mundur nga procesi shkatërrues i “Ballkanizimit” me të cilin në nivele të ndryshme merren faktorë të ndryshëm t në rajon (një term tashmë i miratuar në terminologjinë profesionale dhe i përdorur për të treguar procesin e atomizimi të njësive më të vogla, të cilat shpesh janë armiqësore me njëra-tjetrën). Forumi i Investimeve të Odave (si shoqatë e Odave të Tregtisë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, që filloi në vitin 2015, brenda Procesit të Berlinit), do të luajë një rol kryesor në këtë proces.

Gjithmonë ka shumë histori në Ballkan dhe shumë pak biznes të përbashkët, pasi gjeneratat e reja kërkojnë që kjo të ndryshojë. Problemi është se kishte mungesë të vullnetit politik për t’i zgjidhur ato.

Elitat aktuale politike të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tani kanë vullnet politik për të zgjidhur problemet ekonomike dhe kjo është arsyeja pse unë i bëj thirrje biznesmenëve nga rajoni që ta shfrytëzojnë këtë moment dhe të bashkohen për të ndërmarrë hapin e nevojshëm drejt integrimit të suksesshëm.

Dje, ju përsëritët qëndrimin tuaj për bashkëpunimin rajonal. Ju thoni, “së bashku ne jemi më të fortë”, duke aluduar në tregun e përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Për çfarë saktësisht e keni fjalën?

Koncepti i katër lirive mbi të cilat mbështetet çdo bashkim rajonal (lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit), me një bashkëpunim të zgjeruar në fushat e digjitalizimit, investimeve, inovacionit dhe industrisë, mund të jetë një forcë shtytëse që do të japë një nxitje të re për konkurrencën e kompanive në rajon, pas pandemisë.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha të shtunën se projekti më i madh kapital në Serbi do të ishte pjesa hekurudhore e Korridorit 10 dhe se aktualisht po vlerësohet vlera e korridorit hekurudhor 10 në pjesën nga Nishi dhe Brestovaci deri në Preshevë dhe në Maqedoninë e Veriut. A do të diskutohet kjo në Forum dhe çfarë do të nënkuptojë një projekt i tillë për vendin dhe biznesin tonë?

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka absolutisht të drejtë për këtë sepse infrastruktura është themeli për zhvillimin e biznesit, dhe aksi hekurudhor Beograd-Shkup-Selanik është “vertebra” infrastrukturore e ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Për ne, kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse në të kaluarën infrastruktura hekurudhore ishte lënë mënjanë, edhe pse është një faktor shumë i rëndësishëm për biznesin kudo.

Një nga parakushtet e përgjithshme për inkurajimin dhe thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik në rajon është infrastruktura e zhvilluar rrugore dhe hekurudhore, siç është autostrada përmes grykës së Gërdelicës dhe ndërtimi i autostradës Demir Kapia – Smokvicë. Rindërtimi i ardhshëm i linjave hekurudhore do të mundësojë qarkullim të përshpejtuar të njerëzve dhe mallrave.

Fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE mbetet “pika jonë e dhimbshme”. Sa ndikon zgjatja e datës në biznes, a mund të flasim për ndonjë dëm? Kryeministri Zaev vazhdimisht thekson se lëvizja tani duhet të bëhet nga BE-ja sepse ne kemi përmbushur detyrën tonë. A jeni dakord me këtë dhe a ka ndonjë mesazh ose sugjerim nga komuniteti i biznesit për vendet anëtare të BE-së në lidhje me këtë çështje?

Pozicioni i sektorit të biznesit për këtë çështje është i pandryshuar, që do të thotë sa vijon. Nëse dikush pyet se cila është alternativa për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian, ne themi se ekziston një alternative dhe ajo është përmbushja e standardeve të BE-së, pavarësisht nëse negociatat janë në një ngërç për arsye politike ose për ndonjë arsye tjetër. Kjo do të thotë që askush nuk na pengon t’i prezantojmë ato standarde. Ka dëme, por dëmi më i madh është pasiguria që praktikisht “vret” biznesin.

Kemi edhe një mesazh për liderët e Bashkimit Evropian, se ata janë shpresa për një të nesërme më të mirë për të gjitha kompanitë tona dhe punonjësit e tyre dhe si të tillë kanë një përgjegjësi të madhe ndaj procesit të zgjerimit. Sidoqoftë, në praktikë, ato kanë krijuar precedentë shumë herë në dëm të vendeve të vogla dhe shpresave të tyre, dhe kjo është arsyeja pse ne i këshillojmë që të kenë qasje të qarta rreth këtij procesi, me më shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm, sepse mund të vihet në dyshim durimi dhe prirja e biznesit drejt vlerave evropiane. Ne thjesht nuk duhet të ndihemi të poshtëruar si tani.

Related posts

Dimitrievski dhe LSDM i kthejnë shpinën njëri tjetrit, fillon mbledhja e nënshkrimeve në Kumanovë

Z H

VMRO-DPMNE: Populli dëshiron dorëheqjen e Zaevit që të ketë hetim objektiv

D V

Për pozitën stabilizim i ekonomisë, për opozitën ryshfet parazgjedhor – dita e parë e debatit për rebalancin e Buxhetit

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com