Bahreini hodhi poshtë letrën e dërguar nga Katari në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi shkeljen e pretenduar të hapësirës së tij ajrore nga 4 avionë luftarakë të Bahrainit.
Bahreini të enjten hodhi poshtë letrën e dërguar nga Katari në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi shkeljen e pretenduar të hapësirës së tij ajrore nga 4 avionë luftarakë të Bahreinit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bahreinit pohon se pretendimet e autoriteteve të Katarit se 4 avionë luftarakë nga Forca Ajrore Mbretërore të Bahrainit shkelën hapësirën e tyre ajrore të mërkurën, 9 dhjetor 2020, janë të papërgjegjshme dhe të pabaza”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.
Ministria tha se në atë datë, dy avionë F-16 të Bahreinit së bashku me dy të tjerë nga SHBA ishin në një stërvitje ushtarake në zonën e caktuar të stërvitjes ushtarake në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.
Thuhet se pasi mbaruan stërvitjet, avionët u kthyen në Bahrain, duke kaluar hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, për të zbarkuar në bazën ajrore Isa.
“Ministria pohon se kjo është rruga e zakonshme e daljes nga zona e stërvitjes ushtarake drejt hapësirës ajrore të Mbretërisë së Bahreinit dhe se gjatë kthimit të tyre, avionët nuk kanë përdorur hapësirën ajrore të Katarit pasi avionët e Forcave Ajrore Mbretërore të Bahrainit gjithmonë kryejnë manovrat e tyre në një mënyrë profesionale, duke u siguruar që të mos depërtojnë në kufijtë e vendeve të tjera”, thuhet më tej.
Autoritetet e Katarit ende nuk i janë përgjigjur deklaratës së Ministrisë së Jashtme.
Sipas Agjencisë zyrtare të lajmeve të Katarit, ambasadori Alia Ahmed bin Saif Al Thani, përfaqësuesi i përhershëm i Katarit, u dërgoi një letër zyrtarëve të OKB-së, përfshirë sekretarin e përgjithshëm Antonio Guterres si dhe përfaqësuesin e përhershëm të Afrikës së Jugut, Jerry Matjila, i cili aktualisht është kryesues i Këshillit të Sigurimit.
Mesazhi i përcjellë përfshinte një njoftim zyrtar nga Doha se 4 avionë ushtarakë të Bahreinit kishin depërtuar në hapësirën ajrore të Katarit mbi ujërat territoriale më 9 dhjetor.
Letra shprehte dënimin e fortë të Katarit për këtë shkelje të sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së tij.