Shkup, 16 korrik – Virusi Korona është i pranishëm në mesin tonë, pavarësisht se shumica e qytetarëve mendojnë se ai i përket të kaluarës. Udhëtimet jashtë vendit për shkak të pushimeve verore familjare, ose edhe për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, por edhe për shkak se fëmijët janë kategori e pa vaksinuar, ka ngritur alarmin që të miturit janë shënjestra kryesore e virusit korona.
Autoritetet pranojnë se virusi është ende i pranishëm, por nga ana tjetër, ngatërrimi i simptomave me ato të virozëve të verës, i hamendëson qytetarët për të kërkuar trajtim të posaçëm për covid-in.
Epidemiologia Lulzime Bajrami thotë se vetëm në javën e parë të korrikut u regjistruan 15 raste me kovid, numër ky që në javën e dytë u dyfishua.
Korona virusi ka thuajse të njëjtat simptome, por sipas mjekëve, tek fëmijët, gama e simptomave mund edhe të variojnë. Herë pas here, ajo manifestohet edhe me shenja dhe irritime të lëkurës, që ndonjëherë ngatërrohet nga prindërit si alergji e zakonshme vere.
Nga pandemia e Covid, që përfshiu gjithë botën për gati 3 vite me radhë, vetëm në Maqedoninë e Veriut u shënuan rreth 350 mijë infektime, nga të cilat, rreth 10 mijë raste rezultuan me vdekje dhe mbi 337 mijë u shëruan.