Agjencia Zhurnal.mk

Balena dhe delfinë në Adriatik: Po e shëron pandemia natyrën?

Imazhet e fundit të balenave dhe delfinëve që notojnë në Detin Adriatik janë bërë virale nëpër rrjetet sociale, duke nxitur sugjerime se natyra “më në fund ka gjetur pak paqe” gjatë pandemisë së COVID-19, e cila ka ulur shumë trafikun detar.

Hrvoje Cizmek, biolog detar nga shoqëria e eksploruesve detarë kroatë, “20,000 Liga”, tha për BIRN se kjo teori është ndoshta e saktë, pasi gjitarët detarë si delfinët dhe balenat përdorin tinguj për të komunikuar ku ndërhyn trafiku i madh njerëzor, gjë e cila i detyron këta gjitarë të shmangin detet me trafik.

Por ai tha se balenat shfaqen në Adriatik gjithsesi herë pas here. “Sa i përket kësaj situate aktuale, sidomos me balenën e madhe që u vu re disa ditë më parë dhe që ndoshta është akoma diku në detin Adriatik, kjo është një dukuri normale në këtë kohë të vitit”, tha Cizmek, duke shpjeguar se Mesdheu është shtëpia e një popullsie balenash, disa prej të cilave në prill ose maj vijnë në Adriatik për t’u ushqyer me planktone.

Njëra prej tyre u pa në ujrat e ishullit kroat të Soltës. Ujërat në parkun Marjan në zonën e Splitit u vizituan ndërkohë nga tetë delfinët të dielën, të cilët gjithashtu kënaqën përdoruesit e rrjeteve sociale. Cizmek thotë se këta gjitarë tërheqës tani po shihen shumë më afër tokës se zakonisht.

“Tani njerëzit mund të shohin më shumë delfinë. Marrim raportime se shpesh delfinët mund të shihen nga ballkonet e disa shtëpive buzë detit, me pamje nga deti, gjiret dhe disa kanale”, tha ai.

“Në këtë periudhë pandemie, po ndodhin disa ‘gjëra të mira’”. tha ai. “Këto gjëra të mira nuk kanë të bëjnë me njerëzit, por kryesisht me natyrën. Flitet shumë për uljen e sasisë së oksideve të azotit në atmosferë”, vuri në dukje biologu. “Trafiku detar ka rënë, njerëzit po lundrojnë shumë më pak gjatë periudhës së fundit, ose nuk kanë dalë fare në det, kështu që diçka po ndodh.”

Ai tha gjithashtu se deti është më i pastër në anën tjetër të Adriatikut, afër Venecias, në Itali, e cila u godit rëndë nga epidemia dhe ku lëvizja mbetet shumë e kufizuar.

“Në Venecia, uji është pastruar shumë sepse trafiku lokal detar është ndalur”, tha Cizmek, ndërsa paralajmëroi se një video e famshme me disa delfinë “venecianë” që notonin në kanalet e famshme të qytetit, e cila shkaktoi gjithashtu një valë reagimesh pozitive në rrjetet sociale, në të vërtetë ishte filmuar diku tjetër.

National Geographic shpjegoi këtë fenomen postimesh të rreme duke shpjeguar se njerëzit duan të ndajnë postimet që i bëjnë ata dhe njerëzit e tjerë emocionalë, edhe nëse ato nuk janë të vërteta. “Kur ndihemi të stresuar, pamjet kafshësh të gëzuara mund të jenë ilaçi më i mirë”, vërejti ajo.

Megjithatë, Cizmek beson se njerëzit mund të mësojnë nga kjo situatë dhe të ndërgjegjësohen për mjedisin. “Natyra më në fund mori pak frymë lirshëm”, tha ai, duke shtuar se pasi e gjithë kjo të marrë fund, “shpresojmë që së bashku, njerëzit do të fillojnë ta vlerësojnë pak më shumë natyrën”.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...