Në ceremoninë e hapjes së Edicionit të 10-të të Shkollës së Integrimit Europian, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla u ndal edhe një herë tek “të pavërtetat”, siç i cilësoi ai, që kanë shoqëruar miratimin e ligjit “Për barazinë gjinore” dhe gjithë keqkuptimet që kanë shoqëruar diskutimin publik për të.
Balla theksoi se, ligji “Për barazinë gjinore” është deformuar në debatet politike dhe mediatike.
“U tha se ky ligj ndryshon gjinitë, por kjo nuk është e vërtetë. Ligji përcakton qartë se gjinia, sipas tij, është roli që shoqëria i ka caktuar burrit dhe gruas”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, ligji ka një qëllim të qartë dhe praktik: të garantojë barazi reale mes burrave dhe grave në punësim, paga dhe përfaqësim publik.
Një nga shtyllat e ligjit, tha Balla, është barazia në pagë.
Ai ngriti pyetjen nëse në Shqipëri gratë paguhen njësoj si burrat për të njëjtën punë. “Në sektorin privat, vajzat paguhen më pak vetëm sepse janë vajza, ndërsa një burrë në vendin e tyre e merr rrogën më të lartë”, tha Balla.
Një tjetër element thelbësor i ligjit, sipas Ballës, është mbrojtja dhe mbështetja e grave shtatzëna, lehonave dhe atyre që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara apo për të moshuarit në familje.
“Na duhej një ligj që t’u ofrojë atyre trajtim ndryshe. Nëse një grua punon 6 orë, sepse duhet të kujdeset për një familjar me aftësi të kufizuara, ajo duhet të paguhet për 8. Këtë kemi shkruar në ligj”, deklaroi ai, duke e cilësuar këtë dispozitë si një akt human dhe social që vë në qendër rolin e grave si mbajtëse të familjes dhe të kujdesit shoqëror.
Në përfundim, Balla theksoi se, ligji “Për barazinë gjinore” është miratuar jo nën ndikim të jashtëm, por nga bindja se u shërben qytetarëve.
“Ne nuk i bëjmë ligjet sepse na i kërkojnë ambasadorët. I bëjmë, sepse i bëjnë mirë Shqipërisë. Shqipëria është më e mirë kur ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian,” u shpreh ai.
