Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u ndal në Veria për të parë nga afër procedurën e tërheqjes së zarfit të votimit nga bashkëatdhetarët në zyrat postare të DHL dhe nënkontraktorëve të tjerë.
Balla teksa dilte nga zyra postare e DHL u takua me Ladin dhe Meritën, dy shqiptarë me banim në Veria, që sapo kishin marë zarfin dhe kishin votuar pa asnjë problematikë.
Merita e mori zarfin pranë zyrës së DHL-së, ndërsa Ladi pranë nënkontraktorit Speedex.
Balla inkurajoi të gjithë bashkatdhetarët që të mos presin vetëm njoftimet, por të kontaktojnë kompaninë postare dhe të paraqiten vetë në pikat përkatëse.
“Dua që t’i nxis të gjithë bashkatdhetarët që, ndërsa presin që t’ju mbërrijë zarfi i tyre, siç është detyra e kompanisë postare DHL, është mirë që të kontaktojnë kompaninë dhe të bëjnë siç bënë Ladi dhe Merita, të paraqiten tek kompania, tek pika postare ku e kanë, qoftë kjo DHL apo një prej kompanive nënkontraktore. Zyrat janë të hapura, paraqitesh aty, merr zarfin me emrin tënd,” tha Balla.
Për të lehtësuar procesin, DHL ka vënë në dispozicion një numër telefoni dhe, në shumë raste, si në Veria, njoftimi vjen edhe me SMS apo email.