Gostivar, 8 prill – Banorët e fshatit Tumçevishtë të Gostivarit në një tubim proteste u dërguan kërkesë autoriteteve shtetërore për lirim nga pagesa në pikën pagesore në autostradën Gostivar-Tetovë ose një çmim të duhur për përdorimin e kësaj rruge. Ata jetojnë tre kilometra larg pikës pagesore të parë dhe e paguajnë shumën e plotë, ndërsa për shkak të situatës së dobët nuk mund ta përdorin rrugën ndihmëse.
“Për tre kilometra të kaluara në autostradë ne paguajmë si të përdorim tërë gjatësinë e autostradës Gostivar – Tetovë. Ekziston një rrugë alternative, të cilën nuk mund ta përdorim, është e pashtruar dhe në gjendje shumë të keqe. Duhet të gjendet një zgjidhje, sepse ne shkojmë në qytet dy ose tre herë në ditë dhe ne gjithmonë e paguajmë shumën e plotë”, thotë Marinko Janeski, kryetar i bashkësisë lokale.
Ai shpjegon se përveç kësaj rruge, ekziston edhe një seksion tjetër por më i gjatë që të çon nga Gostivari përmes fshatit Çegran, ku në një drejtim duhet të kalohen mbi 15 kilometra.
Në tubimin protestues para stacionit të pagesave në Gostivar, banorët e Tumçevishtës u bënë thirrje përgjegjësve nga Ndërmarrja Publike për rrugët shtetërore dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të gjejnë zgjidhje së shpejti. Përndryshe, ata do të marrin masa më radikale duke e bllokuar autostradën.
Në fshatin Tumçevishtë ka rreth 300 banorë, të cilët për shkak të detyrimeve të rregullta udhëtojnë çdo ditë për në Gostivar.