Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ngritur sërish shqetësimin se numri i të sëmurëve nga Covid-19 po rritet përditë, fatalitetet po shtohen dhe kapacitetet shëndetësore sipas tij po shkojnë drejt kolapsit. Basha thotë se Rama ka humbur kontrollin mbi pandeminë, megjithëse vala e dytë ishte paralajmëruar.
“Po të na kishte dëgjuar, qeveria do kishte marrë masat e duhura. Në vend të llafeve, sot më shumë se kurrë duhen vendime dhe veprime të shpejta për të rritur testimet dhe fonde për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë”, thotë Basha.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Rama.
“Lulëzim Basha është kapur pas Covidit si i mbyturi pas fijes së barit dhe pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit! Mirë u çmendën po pse të gjithë njëherësh, thoshte Shvjeku i shkretë!”
Replikat i ka vijuar në distancë kreu i opozitës.
“Shëndeti dhe pamundësitë ekonomike janë shqetësimi i çdo shqiptari sot. Por në vend që të japë para për testimet, ilaçet dhe të pamundurit, Rama e ka mendjen tek sulmet politike, ndërkohë që vazhdon të paguajë miliona për inceneratorët dhe tenderat korruptivë. Edhe sa njerëz duhet të vdesin për fajin e Ramës???”
Mes Ramës dhe Bashës objekt replikash është bërë edhe komiteti i ekspertëve që kreu i opozitës e quan fasadë ndërsa kryeministri publikoi CV-të e anëtarëve.