Shkup, 15 shtator – Kryeministri Hristijan Mickoski në intervistë për Alsat ka konfirmuar se ka nisur procesi i bashkimit të institucioneve të shërbimeve sekrete, gjegjësisht Agjencisë për Kundërzbulim, Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Drejtorisë për Siguri dhe Informata të Klasifikuara apo DSIK. Sipas kreut të ekzekutivit, procesi duhet të përmbyllet deri në fund të pranverës së vitit të ardhshëm.
“Si qeveri veçse se kemi formuar trup, i cili duhet t’i bashkojë të gjitha këto dhe pres që deri vonë në pranverë të vitit të ardhshëm të kemi zgjidhje pozitive të gjithë kësaj dhe të kemi një pikë e cila do të japë llogari edhe për zbulimin, edhe për kundërzbulimin, edhe për punën me informatat e klasifikuara”, tha Sinkron: Hristijan Mickoski, kryeministër.
Në lidhje me çështjen e mospërfshirjes së shqiptarëve në pozitat kyçe të këtyre organeve të sigurisë, Mickoski tha se këto çështje nuk duhet të etnizohen. Megjithatë, ai shpjegoi se pasi të formohet institucioni i ri, kreun e tij do ta propozojë VMRO-DPMNE, ndërsa zëvendësin koalicioni VLEN.
“Unë do të dëshiroja që këto çështje të mos etnizohen. Përndryshe, po, për mendimin tim. Ajo agjenci e re, e cila do të kujdeset dhe do t’i bashkojë të gjithë këto shërbime, është pjesë e gjithë asaj për të cilën ne si koalicion jemi marrë vesh dhe kemi harmonizuar, e kështu me radhë. Drejtorin do ta propozojë, kuptohet koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, personin e dytë do ta propozojë koalicioni i udhëhequr nga VLEN. Dhe në atë sistematizim do të ketë kritere të qarta, për kriteret personale që duhet të plotësojnë. Këtu nuk ka kompromis me profesionalitet”, shtoi Sinkron: Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndryshe, plani për bashkimin e shërbimeve sekrete ekziston që nga koha e qeverisë së Zaevit, por ai ishte vënë në pushim, me arsyetimin se ende nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë. Agjencia për Siguri Kombëtare për momentin është në kompetenca të qeverisë kurse Agjencia e Zbulimit është në kompetenca të Presidentit. Nuk dihet ende organograma se si do të duket ky institucion pas bashkimit, ndarja e sektorëve të brendshme, ndihmës drejtorët dhe rolet e tyre në udhëheqjen e operacioneve, edhe ose në kohën kur u shfaq kjo ide, flitej për imitim të modelit kroat. Ekspertët, paraprakisht për Alsat kanë shprehur rezerva për këtë proces duke theksuar se sa më i ndarë të jetë pushteti, aq më i lartë është funksionaliteti i institucioneve të sigurisë, dhe aq më i ulët është përqendrimi i pushtetit te një person.