Bastiset zyra e kryeministrit, dyshime për korrupsion (Foto)

Zhvillime dramatike në Vjenë: hetuesit austriakë kanë trokitur në zyrat e kancelarit Sebastian Kurz dhe të partisë së tij ÖVP. Bëhet fjalë për ryshfetdhënie, anketa të manipuluara dhe mashtrim. Në shënjestër të hetuesve gjendet edhe kancelari Kurz, një dashamirës i madh i autokratëve të Ballkanit.

Rrugica Lichtenfelsgasse gjendet në zemër të Vjenës. Ajo bart emrin e Thaddäus Peithner von Lichtenfels, një juristi austriak, i cili jetoi mes viteve 1798 dhe 1877. Të mërkurën në mëngjes hetues policorë austriakë u shfaqën në rrugicën e përmendur, trokitën në dyeret e partisë ÖVP të kancelarit Sebastian Kurz dhe zhvilluan një bastisje. Aksioni i bastisjes vazhdoi në selinë e kancelarit në sheshin Ballhausplatz. Nga aty qeveris Sebastian Kurz, kancelari i ri austriak.

Sipas mediave austriake hetuesit civilë ishin të armatosur kur u futën në zyrat e partisë së kancelarit. U bastisën edhe zyrat e zëdhënësit të Kurzit, të të ngarkuarit për media dhe të një këshilltari politik. Supozohet se hetuesit konfisuan edhe telefonat mobilë të këtyre personave. Që të tre i përkasin rrethit të ngushtë të Kurzit.

Gazetari i njohur austriak Florian Klenk shkruan në profilin e tij në Twitter se Kurz dhe ekipi i tij kanë prodhuar lajme të rrejshme dhe kanë manipuluar analiza politike me shpenzime të taksapaguesve. Këto lajme të rrejshme Kurz dhe njerëzit e tij i kanë përhapur përmes gazetës bulevardeske “Österreich” (Austria). Për shërbimet e saj propagandistike “Österreich” dyshohet të ketë marrë 1,1 milionë euro. Kundër Kurz po zhvillohen hetime për shkak të dyshimeve për ofrim të ndihmës për ryshfetdhënie, kundër të dyshuarve të tjerë hetimet koncentrohen në veprat e paligjshme të ryshfetit dhe mashtrimit.

Më 2016 Kurz ishte ministër i Jashtëm dhe me çdo kusht dëshironte të bëhej kancelar – më i riu në historinë e Austrisë moderne. Për këtë qëllim ekipi i tij botoi anketa të rrejshme në gazetën “Österreich”, ndërsa pagesën e bëri ministria e Financave, e kontrolluar nga partia ÖVP e Kurzit. Gazeta austriake “Der Standard” thekson se qëllimi i këtyre aksioneve ishte përkrahja e karrierës politike të Kurzit dhe grupit të tij. Me gjasë të dyshuarit për të arritur qëllimet e tyre nuk kanë ngurruar të shkelin ligjet.

Ditëve të fundit zyrtarët e ÖVP-së kanë shtuar kritikat absurde kundër drejtësisë austriake. Deputeti Andreas Hanger nga ÖVP i ofendoi prokurorët duke i quajtur pjesëtarë të “celulave të kuqe”. Sekretarja e ÖVP-së Gaby Schwarz u ankua javën e kaluar se gazetarët po pyesin vazhdimisht lidhur me bastisjet e ardhshme. Sulmet kundër drejtësisë në Austri janë të pashembullta dhe i ngjajnë sulmeve të ngjashme që kryeministri popullist slloven Janez Jansha dhe kolegu i tij hungarez Viktor Orban prej vitesh bëjnë kundër drejtësisë dhe mediave të pavarura.

Kurz është munduar të jetë kundështar i kancelares gjermane Angela Merkel lidhur me çështjet e migracionit. Duke kundërshtuar pranimin e refugjatëve, Kurz është bërë njëfarë ylli i konservatorëve në Gjermani e më gjerë. Ndër adhuruesit e mëdhenj të Kurzit ka qenë Richard Grenelli, i cili derisa ishte ambasador i Donald Trumpit në Berlin e kishte pritur Kurzin për drekë në rezidencën e tij në kryeqytetin gjerman. Grenell po ashtu kishte shkuar në Vjenë për të festuar fitoren e Kurzit në zgjedhje.

Në Ballkan Kurz nuk ka ngurruar të përqafojë autokratët. Në fillim të shtatorit ai pranoi në Beograd “Urdhrin e Republikës së Serbisë” nga presidenti Aleksandar Vuçiq. “Serbia është shtëpia juaj e dytë”, i tha Vuçiq kancelarit austriak, Kurz u revanshua duke lavdëruar “përparimet enorme” në Serbi. Mbi tendencat autoritare të Vuçiqit, shtypjen e opozitës, dyshimet për korrupsion, kontrollin e mediave në Serbi, Kurz nuk tha asnjë fjalë.

Në nëntor të vitit 2016, atëbotë si ministër i Jashtëm, Kurz vizitoi Shkupin dhe hapur përkrahu në fushatën elektorale autokratin maqedonas Nikolla Gruevski. Edhe Gruevski dyshohej për varrosjen e shtetit ligjor, shtypjen e mediave të pavarura, politizimin e administratës, shfrytëzimin e shërbimeve sekrete për të terrorizuar rivalët politikë dhe manipuluar zgjedhjet. Gruevski prej vitesh ka ikur në Hungari, ku i ka bërë konak Viktor Orbani.

Related posts

Furgona të blinduar amerikanë dhe ushtria zvicerane mobilizohen përpara takimit midis Biden dhe Putinit në Gjenevë

Redaksia

Greqia vazhdon përballjen me zjarret

Redaksia

Bie shkalla e vaksinimit në Afganistan

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More