BDI në pushtet luftonte për shtetin e gjuhën maqedonase, BDI në opozitë kërkon ndarjen e shtetit!

nga I.A

Shkup, 22 korrik – Sa i çuditshëm aq qesharak është qëndrimi i fundit i BDI-së për ta ndryshuar sistemin e funksionimit të shtetit. Absurdi më i madh është te fakti që nuk ndryshohet sistemi i shtetit çdoherë që ndryshon pushteti. BDI gjatë kohës ka qenë pjesë e Qeverisë ka luftuar me gjitha mjetet për ta ruajtur unitetin e shtetit, megjithatë në raport me kontestin e Bullgarisë, ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kuadër i BDI-së kudo që shkonte të njëjtën gjë e thoshte se gjuha maqedonase do të jetë e barabartë me gjitha gjuhët tjera të BE-së. E vetë kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, në shumë paraqitje publike ka deklaruar se ai ka qenë protagonisti kryesor që ka kundërshtuar ndarjen e shtetit. Por, këta “dashamirët” e këtij shteti që e mbrojtën shtetin e gjuhën maqedonase kur kaluan në opozitë u shndërruan në armiq të përbetuar, përse? Nuk duhet të harrojmë që BDI përmes kësaj ideje me ose pa vetëdije mund ta ndihmojë e legjitimojë idenë e Vuçiqit në Kosovë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Zhurnal.

BDI po kërkon federatë në Maqedoninë e Veriut, përse nuk e kërkoi sa ishte në Qeveri?

Ndarja e Maqedonisë së Veriut në rajone sipas modelit të Belgjikës dhe Irlandës së Veriut janë dy modelet që po shqyrtojnë ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar nga BDI. Kjo ide ishte skandaloze dhe si e tillë u prit në publik edhe nga oponentët e BDI-së që tashmë janë pjesë e pushtetit.

I pari që ka reaguar për këtë ide ka qenë kryetari i ASH-së dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pjesë e qeverisë aktuale, duke e cilësuar si dështim të radhës për BDI-në.

“Është interesante se si BDI-ja pas 22 vjetësh, për herë të parë kujtohet sot se si do të ishte një zgjidhje territoriale adekuate për Maqedoninë. Nuk është një as dy por 22 vjet vonesë. BDI-ja po dështon edhe në opozitë”, ka shkruar Taravari në facebook.

Kryeministri, Hristijan Mickoski, gjithashtu ka komentuar raportimet në media se disa ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar nga BDI-ja janë duke analizuar disa variante të ndarjes së Maqedonisë së Veriut sipas modeleve të Belgjikës dhe Irlandës së Veriut.

“Politikat e udhëheqësisë së BDI-së nuk do t’i komentoj. Ato janë supozoj politikat e tyre të brendshme. Por, ajo me të cilën ata po tentojnë të shfaqen në opinion janë politika të dezintegrimit, prishjes së karakterit unitar të shtetit. Kam menduar se kanë marrë mësim dhe se do të dalin të kërkojnë falje për gjithçka që kanë bërë, vetëm atëherë do të mund t’i marrim seriozisht. Gjithçka tjetër e shoh tentim për të mbrojtur krimin“, deklaroi Mickoski.

Nëse tani vlerësojnë nga kjo parti se kjo die është e duhura dhe më e mira për vendin e për popullin shqiptarë, përse të njëjtën ide nuk e kanë hartuar sa ishin pjesë e qeverisë. Ka qenë edhe më e lehtë se kanë pasur gjitha mekanizmat e pushtetit në dorë për ta jetësuar idenë nga letra në vepër. Nga këtu detektohet edhe tallja e kësaj partie me popullin shqiptarë, sepse nuk e kanë as seriozisht edhe e dinë që kjo gjë as nuk bëhet e as nuk prodhon në realitet kurrfarë efekti pozitiv.

Çfarë ka bërë BDI për ta ruajtur unitetin e shtetit dhe gjuhën maqedonase?

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, edhe pse nuk ndryshon dot nga pozita e të parit të partisë ndryshon shpesh herë qëndrimet nga kjo pozitë. Në shumë paraqitje publike ka rrahur gjoks se pikërisht ai ka refuzuar idenë e ndarjes së shtetit. Madje, këtë e thoshte me një ndjenjë krenarie e dashurie për Maqedoninë e Veriut, duke e nxjerr veten në rolin e një shpëtimtari.

“Unë kam patur ofertë për të ndarë Maqedoninë nga drejtues të lartë të këtij shteti më herët. Çdo ndarje e këtij vendi do të ishte e dëmshme, shumë më e dëmshme për shqiptarët, por edhe për maqedonasit. Sepse nuk mund të ndahen gjërat si me thikë. Do mbeteshin minoritete andej dhe këndej. Do kishte dëbime. Do hapeshin plagë të reja. Ne nuk e pranuam ndarjen e Maqedonisë edhe pse na u prezantua nga autoritetet e këtij shteti. Unë ua kam thënë edhe politikanëve maqedonas, se ky është edhe shteti im, sa është edhe i juaji. Dua ta ndërtojmë këtë shtet dhe të mos jem qiraxhi në shtëpinë time, por zot në shtëpinë time. Populli thotë që të mirat nuk kanë fund, ashtu siç nuk kanë fund të këqijat. Kemi hyrë në këtë rrugë pa paragjykime. Këtë ua kam thënë edhe politikanëve maqedonas që edhe ata do të jenë më të fortë se ne. Kështu mund ta ndërtojmë më të fortë Maqedoninë. Por, jo ata si padron dhe unë si qiraxhi”, pati deklaruar Ali Ahmet për ABC News vite më parë.

Deklarata të tilla për ruajtjen e unitetit të shtetit Ahmeti nuk i ka kursyer aspak në mediat e vendit as në ato rajonale. Por, nuk është i vetmi nga BDI, pasi edhe ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me zell të madh ishte i përkushtuar në ruajtjen e gjuhës maqedonase.

”Gjuha maqedonase do të bëhet gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian, e formuluar qartë dhe pa asnjë vërejtje apo shpjegim të specifikuar në kornizën e negociuese, do të jetë gjuhë e barabartë me gjitha gjuhët tjera të BE-së”, pati deklaruar ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga BDI.

Do të thotë lideri i partisë ishte i fokusuar të informojë publikun e gjërë se ka qenë shpëtimtari i shtetit dhe personi që ka kontribuar në ruajtjen e unitetit të shtetit, ndërkaq, bashkëpartiaku i tij i angazhuar në ruajtjen dhe avancimin e gjuhës maqedonase edhe në suaza ndërkombëtare. Pa çka se statusi i gjuhës shqipe akoma është i pa zgjidhur.

Megjithatë për një moment opozita për këtë parti ndikoi sikurse një shok terapi dhe u shndërruan në armiq të po të njëjtit shtet. Pra, sot nga këndi opozitar po shpikin ide për ndryshim të funksionimit të shtetit. Kjo përpos që nuk bëhet është vetëm dëshmi shtesë se po e përjetojnë rëndë kalimin në opozitë. Nëse dikur krekoseshin se nuk kanë nevojë fare për pushtet tani po lëvizin çdo gurë dhe po bëjnë gjitha përpjekjet e mundshme vetëm e vetëm që të rikthehen sërish në pushtet.

Por, një gjë që e dinë por e harrojnë, se kush do të jetë në pushtet vendos vetëm populli nuk mjafton vetëm dëshira për të qenë pjesë e pushtetit. Populli shqiptarë vlerësoi bashkimin e shqiptarëve VLEN dhe i shpërbleu me votë, nga ana tjetër partia më jetë gjatë në pushtet BDI bërë një mix koalicion dhe këtë populli shqiptarë e ndëshkoi. Prandaj, është koha të shohim se sa VLEN e dëshiron të mirën e këtij populli dhe sa do të punojë për këtë vend. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More