Agjencia Zhurnal.mk

BDI-së mund t’i kushtojë shtrenjtë loja me Zyberin, “Avokat i popullit” !

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 31 gusht – Nëpër media të ndryshme, gjatë ditëve të fundit është përfolur se kanditati për kryeministër shqiptar nga radhët e BDI-së, Naser Zyberi mund të marrë postin e Avokatit të Popullit. Në lidhje me këtë informacion nga ana e BDI-së, nuk janë prononcuar, por deklaratë nuk ka dhënë as vetë Zyberi.  Lideri i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti në konferencën pas mbledhjes së këshillit të partisë më 19 gusht, i pyetur se çfarë do të bëhet me Naser Zyberin tha se Zyberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarinë e tij si noter deri në një moment kur do të arrihet të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme që ka të bëjë me profesionin e tij.

Çfarë është Avokati i popullit!

Sipas Ligjit për Avokatin e popullit, thuhet se ky është një organ i Maqedonisë së Veriut, i cili i mbron të drejtat kushtetuese dhe ligjore të gjithë personave tjerë kur ato shkelen me akte, veprime dhe lëshim të veprimeve nga organet e administratës shtetërore dhe nga organet dhe organizatat tjera që kanë autorizime publike dhe i cili ndërmerr masa dhe veprime për mbrojtjen e parimeve të mosdiskriminimit dhe përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjestarëve të bashkësive në organet e pushtetit shtetëror, organet e njësive të vetadministrimit lokal dhe të enteve të shërbimeve publike.

Avokati i popullit është i pavarur në kryerjen e funksionit, ndërsa ai punët nga kompetencat e tij i kryen ne bazë dhe në kuacdër  të Kushtetutës. Avokati i popullit zgjedhet për kohëzgjatje prej tetë vjetësh me të drejtë edhe të një zgjedhje.

Në postin e Avokatit të popullit deri në dhjetor të vitit 2020 është Ixhet Memeti, i cili në këtë pozitë është në 16 vitet e fundit, për dy mandate të plota. 

Sela: Ky post i takon oozitës

Lideri i ASH-së Ziadin Sela ka deklaruar se Naser Zyberi nuk mund të bëhet Avokat i popullit, sepse sipas tij ky post i takon opozitës dhe do ta bllokojnë kuvendin për të mos lejuar zgjedhjen e tij.

Por, në Ligjin për Avokatin e popullit, thuhet se është Kuvendi i cili e zgjedh dhe e shkarkon Avokatin e popullit me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjatë së cilës duhet patjetër të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve që u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Maqedoninë e Veriut.

Kjo nënkupton, se opozita edhe nëse do të dëshironte të emëronte një person në tyre në këtë post nuk do të ketë mundësi pasi nuk e ka shumicën në Kuvend.

A do ta pranojë Zyberi këtë post!

Deri më tani Naser Zyberi nuk ka dhënë asnjë deklaratë se çfarë mendon për ofertën jozyrtare që po spekulohet nëpër media, që ai të vendoset në kreun e Avokatit të popullit. Në aspektin personal e profesional, gjasat janë të vogla që Zyberi të pranojë këtë pozitë. Edhe pse posti i Avokatit të popullit është shumë me peshë në hirearkinë juiridike, megjithatë Zyberi si noter ka një veprimtari të bujshme dhe plot me levërdi, që nuk do ta joshte shumë për pozitën e Avokatit të popullit. 

E dyta dhe më e rëndësishmja është se Naser Zyberi u promovua si kryeministër dhe pas marraveshjes për 100 ditë kryeministër shqiptarë që u fitua nga ana e BDI-së, për atë do të ishte e ulët që të bëhet Avokat i popullit, kur në një të ardhme të afërt mund të bëhet kryeministër.

BDI-së mund t’i kushtojë shtrenjt loja me Zyberin

Nëse vërtet Zyberi pranon të bëhet Avokat i popullit, lojëra politike e tij do t’i kushtojë shumë shtrenjt BDI-së, sepse në popull dhe në opinion do të dalë se mes Zyberit dhe BDI-së që para zgjedhjeve ka pasëur pazar të tillë që ai të sistematizohet dikund në institucionet shtetërore.

Pazarllëku i dhimbshëm do të ishte që BDI e paska lansuar idenë e kryeministrit për përfitime të votave dhe nuk paska qenë serioze në idenë e tyre, ndërsa Naser Zyberi qenka futur në këtë aventurë vetëm për interes personal dhe përfitime personale në karrierë.

Prandaj, pyetja që do të shtrohet në me të drejtë në të ardhmen është se kush do t’i besojë më BDI-së në idetë që do t’i publikojnë në të ardhmen. A do t’i besojë populli një partie që e promovon një individ për kryetar të qeverisë, ndërsa e emëron si Avokat i popullit.

Përçarja do të jetë më e thellë dhe humbja do të jetë e sigurt në zgjedhjet e ardhshme, kur dihet se ekziton edhe përçarje dhe përplasje brenda vetë BDI-së, sidomos në degën e Çairit dhe Sarajit, për shkak të emërimitr të Artan Grubit për zëvendëskryeministër.

Nëse “ëndërra për kryeministrin e parë shqiptar” përfundon me Avokat të popullit, atëherë mbetet të shihet se sa do të ekzistojë kjo qeveri që ka vetëm një shumicë prej 62 deputetëve e që në fakt i bie të ketë këmbë të qelqit.

Çdo mosrealizim i premtimeve të BDI-së do t’i kushtojë shumë kësaj partie në të ardhmen duke i dhënë shumë të drejtë opozitës se ëndërra e kryeminsitrit shqiptarë ka qenë vetëm për manipulim zgjedhor.

Nëse qoftë edhe për 100 ditë u vendos të ketë një kryeministër shqiptarë, kjo endërr duhet të bëhet realitet ashtu siç i ka hije fjalës së dhënë. Në të kundërtën, çdo mosmbajtje e fjalës, çdo premtim i shkelur është manipulim që ka kosto të madhe dhe votuesit e ndëshkojnë rëndë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...