Shkup, 25 janar – Gjykata Evropiane e Auditorëve do të fillojë vlerësimin e efektivitetit të mbështetjes së Bashkimit Evropian (BE) për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Siç njoftojnë nga kjo Gjykatë auditimi do të përfshijë katër vendet kandidate të BE-së në rajon – Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe dy vendet e mundshme kandidate – Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Agjencia e Lajmeve Zhurnal mëson se rreth 700 milionë euro janë ndarë për reformat në fushën e drejtësisë për vendet e Ballkanit Perëndimor në shtatë vitet e fundit, e që është 16 përqind e ndihmës totale bilaterale të BE-së për rajonin.
Nga Gjykata Evropiane e Auditorëve në Luksemburg kanë deklaruar se sundimi i ligjit është vlerë themelore evropiane, si dhe një nga kriteret themelore për anëtarësimin në BE. “Qëllimi i auditimit është të përcaktojë se sa efektive kanë qenë këto masa në forcimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Auditorët do të shqyrtojnë në veçanti nëse mbështetja e BE për sundimin e ligjit është menduar mirë, a përdoret për të adresuar çështje kryesore të identifikuara dhe nëse kjo ka çuar në përmirësime konkrete dhe të qëndrueshme në përputhje me standardet e BE-së”, theksojnë në deklaratën e tyre më shkrim nga Gjykata, përcjell Zhurnal.mk. Sipas projeksioneve, rezultatet e vëzhgimit do të dihen në fund të vitit 2021.
ÇFARË DO TË MONITOROJNË GJYQTARËT EVROPIANË

Zorica Strezoska, koordinatore në organizatën “Euro-Think” dhe eksperte për çështje evropiane për Zhurnal thotë se aktiviteti i ndërmarrë nga Gjykata Evropiane e Auditorëve është padyshim një hap përpara në monitorimin e disa prej treguesve në lidhje me sundimin e ligjit, veçanërisht në kontekstin e shpenzimit të parave që shteti merr nga ndihmat e para-anëtarësimit në BE. “Kjo është një shenjë se BE do të përqendrohet gjithashtu në ‘bazat’, të cilat në përputhje me metodologjinë e re përfshijnë financat dhe prokurimin publik. Duke pasur parasysh ‘historinë’ e dobët të shpenzimeve publike, vendet e Ballkanit Perëndimor do të ekspozohen ndaj një vëzhgimi shtesë nga institucionet evropiane. Kjo praktikë duhet të ketë një ndikim pozitiv në punën e institucioneve vendore, kur bëhet fjalë për shpenzime të përgjegjshme dhe të qëllimshme të fondeve”, deklaroi Strezoska për Zhurnal.
Sipas saj, vet prania e Gjykatës Evropiane të Auditorëve në këtë proces të stabilizimit të sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut do të thotë se shpresa e vendit për integrimin në BE nuk është zbehur. “Domethënë, Maqedonia mund të shpresojë në mbështetje financiare nga BE si më parë, por edhe për kontrollin e saj mbi procesin sepse vendi padyshim po hyn në rrethin e ngushtë të vendeve me statusin e përparuar të kandidatit. Pavarësisht nga stimulimi evropian i reformave ligjore në Maqedoni, ato nuk janë thelbësore për anëtarësimin në BE. Ndërsa vërejtjet qëndrojnë, vendi, për fat të keq, do të duhet të përballet me politikat kontestuese nga Bullgaria nëse dëshiron të bëhet shpejt një anëtare e BE-së”, nënvizon ajo.
GJYKATA EVROPIANE E AUDITORËVE ORGAN KYÇ I BE-SË
Gjykata Evropiane e Auditorëve është një organ ligjor që vepron brenda Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian. Kjo gjykatë u krijua nga Traktati i Mastrihtit si një institucion që kontrollon financat e Unionit. Gjykata u krijua më 22 korrik 1975 me seli në Luksemburg. Sipas informacionit deri te të cilat ka arritur Zhurnal, gjykata e Luksemburgut kontribuon në përmirësimin e menaxhimit financiar në BE dhe vepron si një mbrojtës i pavarur i interesave financiare të qytetarëve të shteteve anëtare të BE-së. Gjykata shqyrton nëse një transaksion i caktuar financiar është regjistruar dhe paraqitur saktë, nëse është kryer ligjërisht dhe siç duhet dhe nëse menaxhohet në kohën e duhur për të siguruar ekonomi, efikasitet dhe efektivitet. Rezultatet e punës së Gjykatës përdoren nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli dhe Shtetet Anëtare. Gjykata promovon përgjegjshmërinë dhe transparencën, dhe ndihmon Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Kontrollit në zbatimin e politikave. Gjykata Evropiane e Auditorëve ka një anëtar nga secili shtet anëtar i BE-së, i emëruar nga Këshilli, për një mandat prej gjashtë vjetësh. Anëtarët e Gjykatës zgjedhin një president për një mandat prej tre vjetësh. Në rast se auditorët zbulojnë shkelje të ligjit ose parregullsi, ata e informojnë Zyrën Evropiane për parandalimin e mashtrimit. (Zhurnal.mk)