Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

BE-ja nuk duhet të qëndrojë duarkryq për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut!

Editorial / Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

 Shkup, 7 prill – Në Bullgari kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare, por duket se nuk kanë përfunduar problemet dhe qetësia për këtë shtet. Duket që Bullgaria me rezultatet nga zgjedhjet do ta ketë të vështirë të formojë një qeveri  stabile. Fitues i zgjedhjeve ka dalë partia e kryeministrit Boriosv, por numrat që ai ka siguruar janë të pamjaftueshëm për të pasur një qeveri stabile në të ardhmen. Maqedonia e Veriut deri më tani sy e veshë i ka pasur drejt ndodhive në shtetin fqinj, duke pritur që pasi të përfundojnë zgjedhjet e atjeshme, do të fillojë një ritëm normal i bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të përhershme me Sofjen zyrtare. Kjo duket e vështirë, por ndihma nga Bashkimi Evropian është tepëre kruciale në këto momente, sa që duhet të rezultojë me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Bullgaria nuk gjen qetësi politike

Kryeministri aktual Bojko Borisov ka fituar zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bullgari, por do ta ketë të vështirë të formojë një qeveri të fuqishme dhe stabile.

Zgjedhjet parlamentare të Bullgarisë u fituan nga koalicioni Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) dhe Unioni i Forcave Demokratike (SDS), i udhëhequr nga Kryeministri Bojko Borisov, me 25,8 për qind të votave, përpara partisë “Ka një popull të tillë” të Sllavi Trifunov me 17, 5 për qind dhe bllokut të Partisë Socialiste Bullgare (BSP) me 14.8 për qind.

Lajmi i vetëm i mirë që vjen nga shteti fqinj është se partia e ish-ministrit të mbrojtjes Karakaçanov, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor dhe nuk do të futet në Kuvend. Kjo parti ka qenë zëri më i fuqishëm kundër Maqedonisë së Veriut, duke shkuar aq larg sa e konsideronte se në Maqedoninë e Veriut nuk ka maqedonas, por ata janë bullgarë që historinë ua ka ndryshuar Tito me formimin e Jugosllavisë. Ky është një mesazh i qartë për politikanët se temat nacionaliste nuk janë ato që i pëlqejnë qytetarët, por është progresi dhe zhvillimi ekonomik ajo që më shumë duan ata.

Analizat nga mediat bullgare tregojnë se nëse nuk ka një qeveri ekspertësh, të cilën e ka kërkuar Borisov, atëherë mund të ketë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.

Shkupi optimist për zgjidhjen e dallimeve

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që nga nëntori i vitit të kaluar i kanë përkeqësuar raportet për shkak të vetos bullgare lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Sofja kërkon marrëveshje për gjuhën, kombësinë maqedonase dhe personalitetet historike. Ajo nuk konteston identitetin maqedonas, por kërkon që autoritetet të pranojnë se ato para vitit 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”.

Maqedonia e Veriut është bllokuar në Këshillin e BE-së për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në për shkak të kontestit të pazgjidhur me Bullgarinë.

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari kanë qenë në interes të madh për Shkupin zyrtar por edhe për Brukselin. Të gjithë kanë pritur se si do të rrjedhin ngjarjet atje. Pas një përfundimi pjesësirisht të kënaqur për Maqedoninë e Veriut, optimizmi është rritur. Marrëdhëniet e mira bilaterale ndërtohen me respekt të përhershëm të ndërsjellë dhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv, andaj qeveria e Zaevit ka kërkuar me Sofjen të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura, por jo edhe për ato që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe veçoritë e tjera të kombit maqedon.

Sigurisht që Maqedonia e Veriut pret intensifikim të dialogut për çështjet e hapura që kanë bllokuar integrimin evropian, menjëherë pas formimit të qeverisë së re në Sofje. Përkushtimi duhet të mbetet në vazhdimin e dialogut, me qëllim që të kapërcehen të gjitha dallimet dhe të zhbllokohet  procesi i integrimit evropian. Edhe partitë politike opozitare, sidomos ato në opozitë duhet të ulin gjuhën e urrejtjes dhe të zvogëlojën nacionalizmat e shprehur kundër Bullgarisë, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën dialogut dhe duke shuar zjarrin.

BE-ja nuk duhet të qëndrojë duarkryq

Roli i Bashkimit Evropian në këtë moment është shumë i madh dhe mund të shfrytëzohet situata që mos të pengohet hapja e negociatave gjatë muajit qershor. Për shkak të situatës jo shumë të favorshme politike në Bullgari, nëse formohet një qeveri ekspertësh ose kalimtare, një nga pikat kyçe që duhet t’i kërkojë Brukseli zyrtar qeverisë së re në Sofje do të duhet të jetë çështja e hapur me Maqedoninë e Veriut. Kjo “plagë” nuk guxon të lihet e hapur për shumë gjatë kohëm sepse mund të shkaktojë dhimbje më të mëdha për të gjithë, duke përfshirë këtu trekëndëshin Sofje – Shkup-Bruksel. Që të gjithë qendrat do të dështojnë në promovimin e rrugës eurintegruese.

Menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari, Komisioni Evropian nuk dëshiron të hyjë në detaje për situatën politike atje pas zgjedhjeve të mbajtura të dielën, por ata kanë thënë se tani shpresojnë që Shkupi dhe Sofja të arrijnë një kompromis.

Në gjuhën diplomatike, Brukseli ka inkurajuar Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët për çështjet aktuale dypalëshe, duke kërkuar që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.

Ishte e qartë dhe e logjikshme se diplomatët në Bruksel si dhe politikanët në Maqedoninë e Veriut konsideronin se nuk mund të pritet përparim deri sa të kalojnë zgjedhjet në Sofje.

Edhe qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit ishte i qartë se nëse nuk ka zgjidhje dhe lëshim të “topit” nga ana bullgare, atëherë do të lindin plagë të reja, që do të shkojnë drejt kërkesës së pakicës maqedonase brenda Bullgarisë.

Andaj, presioni ndaj Sofjes do të rritet në të ardhmen dhe mund të hiqet vetoja për nisjen e bisedimeve nga qeveri ekspertësh ose qeveri kalimtare, ku asnjëra parti në Bullgari nuk do të ndikohej negativisht për këtë vendim. Por ky proces do të përcillet në vazhdimësi me kushtëzime nga ana bullgare dhe kjo nuk do të jetë e lehtë për çdo politikan në Maqedoninë e Veriut, prandaj nevojitet shumë mençuri, urtësi dhe maturi në çështjen me Bullgarinë.

Postime të ngjashme

Shkupjani privohet nga liria për kontrabandim të emigrantëve

R Zh

Regjistrimi në Diasporë dukshëm më i ulët se sa ai para vendimit për shtyrje, kush i dëshpëroi!

R Zh

Mungesa e vaksinave ndërpret edhe fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinim

R Zh

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuhanë

R Zh

Sot 46 viktima dhe 687 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

R Zh

Qeveria demanton Milloshoskin: Zaevi dhe Spasovski nuk u kanë dhënë pasaporta pjesëtarëve të ISIS-it

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...