BE: Kosova dhe Serbia përmes dialogut ta zgjidhin çështjen e targave

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, pas aplikimit të reciprocitetit nga ana Qeveria e Kosovës lidhur me targat e automjeteve të Serbisë, ka thënë se BE-ja po vazhdon të monitorojë situatën në teren. Ai ka bërë thirrje që të dyja palët [Kosova dhe Serbia] të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet.

 

Stano, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se BE edhe gjatë ditës se djeshme ka deklaruar se liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. “Si e tillë, Kosova dhe Serbia presim ta promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon”, tha ai.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht situatën në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet”, deklaroi Stano për Telegrafin.

Ai më tej tha se BE-ja është duke punuar në mënyrë aktive për të adresuar situatën në të gjitha nivelet.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell gjatë mbrëmjes së djeshme ishte në kontakt me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti si dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ende është në Beograd dhe po vazhdon punën me të dyja palët”, tha ai.

Stano tha se BE inkurajon të dyja palët [Kosovën dhe Serbinë] që të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat.

“Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka deklaruar Stano.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës që janë bllokuar nga serbët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se policët e Kosovës janë “në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”.

Related posts

Tërhiqen shortet për numrat që do të bartin partitë politike në zgjedhje e 17 tetorit

D V

Mustafa, Dugollit: Pse nuk i thojshe Amerikës më 1999 “kthej aeroplanat se na jemi sovran”

D V

Kurti në Shkup flet për aksionin në Veri, tregon se kush e ka dhënë urdhërin

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More