Shkup, 31 janar – Arsimi është kyç për zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve partnere në kufi me BE-në dhe për forcimin e lidhjeve të tyre me BE-në, mbi të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit të bllokut, thekson Komisioni Evropian, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit – 24 Janarin. Vendim i qëlluar që BE të ketë fokusin në forcimin e sistemit arsimor, sepse të gjitha vendet e rajonit kanë të njëjtin problem mungesën e cilësisë. Sipas testimi ndërkombëtar PISA që është më e besueshmja për matje të shkrim-leximit, Maqedonia e Veriut ka pësuar një regres dhe rënie të madhe duke u renditur në mesin e 10 vendeve të fundit. Ndryshe, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera, shkruan Zhurnal.
KE: BE-ja mbetet e përkushtuar për forcimin e sistemeve arsimore të Ballkanit Perëndimor –
Arsimi është kyç për zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve partnere në kufi me BE-në dhe për forcimin e lidhjeve të tyre me BE-në, mbi të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit të bllokut, thekson Komisioni Evropian, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit – 24 Janarin.
“Prandaj BE-ja do të vazhdojë të angazhohet, si prioritet, me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Turqinë dhe fqinjësinë për të forcuar sistemet arsimore, për të zgjidhur mospërputhjet e aftësive me tregun e punës dhe për të forcuar bashkëpunimin e përbashkët me institucionet arsimore, duke përfshirë mobilitetin e studentë dhe mësues”, shton KE-ja.
Në një deklaratë me rastin e 24 janarit, përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borel, thekson se arsimi dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës janë thelbësore për arritjen e zhvillimit të drejtë dhe të qëndrueshëm dhe për përballimin e pabarazisë, përmes dialogut, solidaritetit , mirëkuptimit reciprok, bashkëpunimit dhe barazisë gjinore, por në të njëjtën kohë janë vendimtare edhe për mbrojtjen, ruajtjen dhe ndërtimin e paqes.
“Arsimi u mundëson individëve dhe shoqërive të mbijetojnë, të lulëzojnë dhe të përgatiten për sfidat dhe mundësitë e shekullit të 21-të. Së bashku me artin dhe kulturën, ajo zgjeron horizontet, duke i lejuar njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të mendojnë, të mbrojnë dhe të ndërtojnë të ardhme të ndryshme”, thekson Borel.
Në mbarë botën më shumë se 250 milionë fëmijë dhe të rinj nuk shkojnë në shkollë, e disa nga ata që ndjekin mësimin, nuk fitojnë aftësi bazë si shkrimi dhe leximi –
Sipas tij, arsimi gjithashtu luan një rol kyç në ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe sjell shpresë dhe mbrojtje për ata që janë prekur nga krizat humanitare dhe shpërnguljet e detyruara.
Sipas Komisionit Evropian, siç raporton korrespondenti i MIA-së nga Brukseli, edhe pse qasja në arsim është e drejtë themelore e njeriut, megjithatë në mbarë botën më shumë se 250 milionë fëmijë dhe të rinj nuk shkojnë në shkollë, e disa nga ata që ndjekin mësimin, nuk fitojnë aftësi bazë si shkrimi dhe leximi.
“Nevojiten edhe 44 milionë mësues të kualifikuar për të arritur arsim fillor dhe të mesëm universal deri në vitin 2030. Është thelbësore të investohet në ndërtimin e sistemeve arsimore të përshtatshme për të ardhmen dhe të kompensohet arsimi i munguar në përputhje me angazhimet e marra në Samitin e KB-së për Transformimin e Arsimit në vitin 2022”, shtojnë nga KE-ja.
Komisioni rikujton gjithashtu se BE-ja ka rritur investimet e saj në arsim jashtë vendit dhe mbetet e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me vendet partnere në përmbushjen e detyrimeve të tyre.
“Institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare së bashku janë donatorë të më shumë se gjysmës së të gjithë ndihmës për arsimin në mbarë botën, duke mbështetur sektorin e arsimit në më shumë se 100 vende. Në periudhën 2021-2027, Komisioni Evropian do të ndajë të paktën 10 për qind të buxhetit për partneritete ndërkombëtare në arsim me Afrikën, Amerikën Latine, Karaibe, Azi dhe Paqësor. Fokusi është te mësuesit cilësorë, aftësitë për jetën dhe punën e shekullit të 21-të, sistemet arsimore gjithëpërfshirëse dhe të drejta, të gatshme për të mbështetur tranzicionin digjital dhe ekologjik, arsimin dhe trajnimin profesional të drejtuar nga mundësitë dhe arsimin e lartë dhe mobilitetin”, thekson organi ekzekutiv i BE-së.
Sipas Komisionit Evropian, BE-ja mbetet në ballë të mobilizimit ndërkombëtar për arsimin, duke ndarë 10 për qind të buxhetit të ndihmës humanitare për sistemet arsimore dhe për të mbështetur arsimin e sigurt, gjithëpërfshirës dhe cilësor për miliona fëmijë të prekur nga krizat dhe konfliktet humanitare, ku vetëm në vitin 2023 për këtë qëllim janë përcaktuar mbi 162 milionë euro.
Rezultatet e PISA-as ishin të pakënaqshme për vendet e Ballkanit Perëndimor –
Nga 81 shtete Maqedonia e Veriut radhitet e 61-ta në PISA. Në shkrim dhe lexim në vendin e 71 nga 81 shtetet gjithsej, matematikë e 61-ta, dhe në shkencë në vendin e 68-tetë. Në testimin paraprak të PISA-s, që është zbatuar në vitin 2018, nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë ishin listuar në vendin e 67-të nga gjithsej 77 shtete pjesëmarrëse. Ky krahasim dhe këto të dhëna janë tmerruese për atë se në çfarë drejtimi po shkon cilësia në arsim.
Nuk qëndrojnë më mirë as vendet tjera të rajonit të cilat gjithashtu radhiten nga fundi i listës së shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria rradhitet e 66-ta në pjesën e shkrim-leximit, ndërsa në matematikë dhe shkencë në vendin 71. Kosova mban vendin e 76 në lexim, vendin e77 në shkencë, ndërsa vendin e 74 në matematikë. Ndërsa Serbia radhitet e 40-ta në lexim e shkencë, ndërsa në pjesën e matematikës mban vendin e 42-të.
Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. /Zhurnal.mk