Bruksel, 16 shkurt – Pagesat e para nga Plani Evropian të zhvillimit nuk do të bëhen në pjesën e parë të këtij viti.
Sipas shpjegimit të shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian (KE), pagesat nuk do të bëhen para mesit të këtij viti, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Komisioni Evropian tani është duke finalizuar hapat procedural, të cilët duhet të lejojnë lirimin e parafinancimit sa më shpejt të jetë e mundur në vitin 2025”. Pagesat e para të rregullta priten ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025, pasi të plotësohen kushtet e duhura”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga ky institucion.
Siç sqarojnë nga atje, problemi qëndron te vendet e rajonit që duhet të arrijnë një marrëveshje kredie me Bashkimin Evropian, sepse disa burime financiare janë në formë kredie, e të tjera në formë grantesh. Dhe marrëveshje të tilla kanë karakterin e traktateve ndërkombëtare dhe për këtë arsye duhet të ratifikohen nga parlamentet e atyre vendeve.
“Duket se këtë herë BE-ja është më e gatshme të bëjë pagesa nga kjo paketë se sa janë të gatshme të marrin vendet e rajonit”, tha një burim nga Brukseli për Radion Evropa e Lirë.
Komisioni Evropian nuk ka dhënë një shpjegim të saktë të fazës në të cilën ndodhet çdo vend në rajon lidhur me detyrimet e nevojshme për të filluar pagesat.
“Për të nisur reformat, vendet mund të kërkojnë deri në 7 për qind të parafinancimit të shumës totale të parashikuar në këtë instrument (të shumës fillestare treguese të financimit në dispozicion të secilit përfitues). “Kjo është kërkuar nga të pesë përfituesit me agjenda të miratuara të reformave (përveç Bosnjë-Hercegovinës, e cila ende nuk e ka dorëzuar një të tillë)”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian.
Për të marrë ndihmë financiare nga Plani i zhvillimit, secilit vend në rajon iu kërkua të zhvillonte një agjendë reformash e cila më pas u miratua nga KE.
Bosnja dhe Hercegovina është i vetmi vend që nuk ka një agjendë të miratuar, sepse Sarajeva i dorëzoi Brukselit një dokument të paplotë që nuk i plotëson kriteret e KE-së.