Veles, 26 nentor – Drutë i kanë bërë gati. Shporetin e kanë ndezur për t’i mbajtur ngrohtë nxënësit e fshatit Kllukovec të Velesit.
Objekti i shkollës, lë shumë për të dëshiruar, por nxënësit me prani fizike dhe respektim të masave kundër virusit po mundohen të mbajnë orën e mësimit.
Shkolla tualetin e ka disa metra larg objektit, ani pse është larg objektit por në kohë pandemie nuk kanë as ujë.
“Cila klasë je? E treta. A e keni ftohtë dimrit?Po”, tha një nxënës.
Tek kjo shkollë këto fëmijë mësojnë deri në klasën e katërt, mandej vazhdojnë në fshatin Buzallakovë.
“A mendon se ke me e pas më mirë kur të shkosh në Buzallakovë? Po”, tha një nxënës.
Planin për ndërtimin e shkollës, komuna e ka bërë gati por jo për tu ndërtuar, thonë banorët.
Projektin banorët e kanë edhe me vete por thonë se nuk ka asgjë nga ky projekt.
“Janë disa probleme me qëllim të bëra për mosndërtimin e kësaj shkolle. Neve mbi të gjitha na duhet një leje nga komuna që të jemi të gatshëm ta ndërtojmë edhe vetë dhe se vetëm na duhet leja nga Komuna e Velesit”, tha një banor.
Banorët thonë kryetari i komunës kërkon që objekti të ndërtohet në lokacion tjetër për shkak se sipas tij, këtu rrezikohet nga ndonjë vërshim por edhe nga rreziku i rrëshqitjes së dheut për shkak se shkolla është në një lokacion jo të rrafshët.
E deri sa të zgjdhet ky problem, 40 nxënësit e kësaj shkolle do të mësojnë në këto kushte.
Për shkak të kushteve të rënda, nxënësit e bojkotuan mësimin në fillim të vitit shkollor, por përsëri kanë vazhduar mësimin.
Këtë objekt të shkollës e kanë ndërtuar vetë banorët para 48 vjetëve.
Për shkollën e pyetëm edhe Ministrinë e Arsimit nga atje thonë Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk do të ndërhy në këtë lëndë deri sa nuk do të tërhiqet ndërtimi pa leje në parcelën ku duhet të ndërtohet shkolla.