Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një dalje sot për mediet nga selia blu deklaroi se kompania e Chris LaCivita-s nuk ka asnjë tagër apo angazhim për qëllime lobimi, por bashkëpunimi është vetëm çështje elektorale.
I pyetur për një lobim të mundshëm të kompanisë së Chris LaCivita pranë administratës Trump për heqjen e “non grata”-s, Berisha tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
“Kompania e kontraktuar për zgjedhje nuk ka asnjë funksion dhe lidhje si kompani lobimi, sepse në vendin e vet, këto veprimtari janë me kuadër të ndryshëm ligjor dhe bëtë mirë që ma rikujtuat. Por unë, në qoftë se shkon tek konferenca e parë që kam bërë pas asaj në ‘Rogner’, kam sqaruar se kjo kompani nuk ka asnjë tagër apo angazhim për qëllime lobimi”, tha Berisha.
“Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës”, tha Berisha.
“Garantoj qytetarët shqiptarë se një audit i plotë me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe amerikanë do bëhet lidhur me të gjitha këto abuzime dhe se përgjegjësit do marrin ndëshkimin më të merituar ligjor”, tha Berisha.
Berisha po ashtu i bëri thirrje FBI-së “të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë”.