Berisha: Kontrata me LaCivita do bëhet publike në përputhje me ligjin

nga D V

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha siguroi sot se kontrata me Chris LaCivita, kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump, do të bëhet publike dhe gjithçka është në përputhje absolute me ligjin dhe me burime të kristalta.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha theksoi se Chris LaCivita ka ardhur si menaxher i fushatës së opozitës shqiptare për të firmosur fitoren në 11 maj.

“Sigurisht që ai ka ardhur si udhëheqës, menaxher i fushatës së opozitës shqiptare për të firmosur fitoren në 11 maj. Jashtë çdo dyshimi që ne kemi një kontratë, e cila do të jetë 100% transparente në përputhje me ligjin shqiptar dhe amerikan. Për këtë i siguroj qytetarët se nuk mund të ketë as më të voglin dyshim. Unë i kam dëgjuar shifrat e cituara dje nga më të afërmit e Ramës. Unë them që Zoti i ndihmoftë t’i shumëfishojnë në shifra, por asgjë nga këto nuk ka të vërteta. Kjo është e vërteta”, shtoi ai.

Berisha u ndal te prezantimi dje në Tiranë e Chris LaCivita, kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump, ndërsa u shpreh se ai zgjodhi PD-në jo rastësisht.

“Ai foli aty në cilësinë e bashkëkryetarit të menaxhimit të fushatës më të suksesshme në histori, por foli edhe në cilësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan. Për kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan dhe Partinë Republikane që ai përfaqëson, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit. Dhe ai, që ta kemi shumë të qartë, erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij”, theksoi Berisha.

Berisha theskoi po ashtu se deklaratat e LaCivita kanë domethënie të madhe politike.

“Mesazhet e tij janë shumë të thella dhe duhet të kuptohen nga çdo shqiptar. Ndaj dhe shpreh mirënjohjen më të madhe kryetarit të komitetit kombëtar të Partisë Republikane për vendimin e tij për të shprehur demokratët dhe konservatorët në Shqipëri, në shpëtimin e Shqipërisë nga stihia e ekstremit të majtë dhe Xhorxh Sorosit në këtë vend”, shtoi Berisha.

Duke folur për zhvillimet e fundit dhe arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Berisha tha se “një njeri që ka minimumin e minimumit të përgjegjshmërisë jep menjëherë dorëheqjen”.

“Në çdo vend të botës përpara kësaj situate, një komb i tërë ngrihet në këmbë për ta përzënë nga zyra, ai është i padenjë për asnjë detyrë shtetërore. Erion Veliaj ishte një hajdut dhe janë të dokumentuara abuzimet, por abuzimet shumë më të mëdha janë të Edi Ramës. Grabitja e portit të Durrësit shkon rreth 4 miliardë euro që po e ndërton ky me Alabarin e tij dhe po gjobit shqiptarët 1.3 miliardë euro për portin e ri”, shtoi ai.

Berisha garantoi shqiptarët se “kjo situatë i ka kohërat e shkurtra dhe PD do bëjë gjithçka që 11 maji të jetë dita e fundit e tyre në pushtet”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More