Berisha me drejtuesit e qarqeve të PD: Hartoni me grupet e interesit programin tjetër ekonomik

nga D V

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka zhvilluar një takim online me drejtuesit e qarqeve të kësaj partie. Ai u ka kërkuar atyre që të shtojnë aktivitetin në rrjetet sociale, duke regjistruar takimet që organizojnë me qytetarët dhe t’i postojnë ato.

“Duke nisur nga nesër regjistroni çdo takim, ekspozojeni në rrjetet sociale, Facebook, Twitter, Instagram, dhe faqen e PD, pa përjashtim në të gjitha. Ju garantoj se në këtë rrugë ne do të përmbysim propagandën mashtruese të katër mediave të klonuara nga zyra e Edi Ramës dhe ERTV e tij. Sot rrjetet sociale dhe portalet kanë meritën më të jashtëzakonshme të agjencisë së censurës dhe të nxjerrjes si Don Kishot të gjithë ata që mashtrojnë me lajme”, tha Berisha.

Kryetari i PD-së u kërkoi drejtuesve në qarqe të kenë me prioritet në axhendën e tyre çështjet ekonomike dhe problemet jetësore të qytetarëve.

“Ne kemi paraqitur para qytetarëve një paketë e cila konsiston në minimumin jetik prej 200 eurosh, me rrogën minimale 500 euro, në dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë, në rrogën mesatare 1200 euro. Ky program emergjence duhet të jetë programi i debatit më të gjerë me qytetarët. Qytetarët në një aspekt kanë të drejtë të jenë skeptikë, sepse kanë 11 vite që pensionet e tyre jo vetëm nuk rriten, por ulen. Sepse kanë 11 vite që shohin pesëfishimin e rrogave të larta dhe pothuaj në vendnumëro me rrogat e ulëta. Po, natyrisht nuk mund të ndërtojmë rrugë ne me çmime 10 herë më të shtrenjta se Kroacia, sepse kjo do të thotë të vjedhësh 90% të fondeve. Nuk mund të ndërtojmë kurrë ne rrugë dhe të ndajmë 13 kilometra në 14 kontrata siç bën sot Edi Rama dhe Belinda Balluku për të vjedhur me 14 kontrata”, tha ai.

Berisha shtoi se “ishte një arsye tjetër madhore që bëri që amerikanët të rikthenin presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky ishte faktori ekonomik dhe ekonomia për ne është shtylla më kryesore e programit. Ne jemi parti e taksave të ulëta, këtu nuk ndryshojmë. Por përveç kësaj, të nderuar drejtues të qarqeve, të gjithë programin tjetër ekonomik do ta hartoni ju me grupet e interesit në mbarë vendin. Nuk do hartojmë ne programin e biznesit të vogël. Jo, do ta hartojë biznesi i vogël programin e vet. Nuk do hartojmë ne programin për fermerët tanë, do e hartojnë fermerët tanë programin që e konsiderojnë më të përshtatshëm për suksesin e tyre”.

Kreu i PD, u ndal edhe te çështja e votës së shqiptarëve jashtë vendit: “Ne jemi të gatshëm të votojmë çdo lloj ndërhyrje të nevojshme për ta bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa, të mundshëm, transparent, të pamanipulueshëm. Ta marrim në mënyrën më serioze çështjen e mobilizimit të çdo potenciali për shqiptarët jashtë vendit. Do jenë ata Leva e Arkimedit në një sukses të ri si ai i vitit 1992”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More