Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin “farsë elektorale”. Në vazhdën e denoncimeve të bëra prej tij, Berisha publikoi sot nga selia blu një video që sipas tij “fakton farsën elektorale në Krujë”.
Sipas kreut të PD-së, në këtë bashku gjatë kohës kur votohej “policia politike e patronazhistëve kontrollonte në mënyrë antiligjore, antikushtetuese votën e qytetarëve, ose qytetarët votonin kolektivisht, ose votonin duke pasur kamerat mbi kokë, në mënyrë që t’u lexohej vota”.
Berisha tha se “pamjet faktojnë në mënyrën më të pakundërshtueshme se, ky proces është farsë, farsë dhe vetëm farsë”.
Kryetari i PD-së nënvizoi se nuk u respektua fshehtësia e votës.
Berisha nënvizoi se “PD është e vendosur të paraqesë para shqiptarëve të gjithë farsën e shëmtuar që ndodhi më 11 maj, me besimin e plotë se, do të jetë një motiv i madh për ta për t’u ngritur dhe rivendosur me çdo çmim dhe me çdo kusht votën e lirë në Shqipëri, për t’u përballur me narkoshtetin”.
“PD fton shqiptarët, të gjithë ata të cilët besojnë se ky komb duhet të votojë me dinjitet dhe duhet të gëzojë të drejtën e votës së fshehtë dhe të lirë, kudo që janë në Shqipëri, diasporë dhe në çdo vend, të qëndrojnë të pamposhtur gjersa qytetarët shqiptarët të votojnë të lirë”, u shpreh kreu i PD-së.