Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediet duke iu referuar projektligjit të propozuar nga Partia Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale, tha se ky është një mashtrim publik. Kjo pasi sipas kreut të PD-së, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ligji i miratuar për vendosjen e këtyre gjobave është shpallur antikushtetues.
“Në këtë kuadër, çdo qeveri është e detyruar të rikthejë çdo gjobë të vënë bazuar në këtë ligj. Por narko-shteti, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ka vazhduar praktikën antikushtetuese të gjobitjes së qytetarëve dhe tani së fundmi bën sikur po i fal gjobat, në një kohë kur ato kanë qenë të gjitha të paligjshme”, tha Berisha.
Berisha tha se garanton “çdo qytetar të gjobitur mbi bazën e atij ligji antikushtetues, nga data e hyrjes në fuqi gjer sot, se ata do të dëmshpërblehen, do u kthehet qindarkë për qindarkë e gjithë shuma e gjobës që kanë paguar”.
“Ftoj çdo qytetar të mos paguajë një qindarkë gjobë antikushtetuese”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se kur PD të vijë në pushtet “do të falë të gjitha gjobat për pensionistët, për familjet në nevojë, për punonjësit me rroga mesatare e poshtë, për familjet me nëna kryefamiljare, për të gjithë familjet në ndihmë ekonomike, në papunësi, do falen të gjitha gjobat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm”.
Berisha u ndal edhe tek çmimi i energjisë elektrike.
Sipas Berishës, çmimet do të jenë të diferencuara ndjeshëm për minimumin e nevojshëm të energjisë së domosdoshme për jetën normale të një familje. “Nuk mund të paguajë pensionisti apo ai që jeton me minimum jetik pas vendosjes së tij njëlloj si zengjini apo rrogëlarti”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së theksoi se kjo qeverisja e ardhshme e kësaj partie do të hyjë në fuqi vendime dhe ligje të tjera.
“Synimi është një shpërndarje sa më përafërsisht e barabartë dhe e ndershme e të ardhurave dhe pasurive kombëtare”, tha Berisha.