Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri të ditur sot se miratimi i buxhetit 2025, do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se pjesë e protestës do të jenë qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e “plaçkitjes” më të madhe të vitit
“Natyrisht ne kemi zgjedhur që të paraqesim amendamentet tona në komisione dhe seancë plenare, të sigurt se ato nuk pranohen nga qeveria, e cila ka një synim kryesor, plaçkitjen maksimale të këtij buxheti. Por paraqitja e tyre është një detyrim solemn para shqiptarëve për të bërë avokatinë e tyre dhe për të qenë të obliguar që në mbledhjen e parë të parlamentit shumicë të PD, ato ligje të votohen dhe të hyjnë në fuqi menjëherë”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë sipas tij, “mosbindja civile mbetet ‘Leva e Arkimedit’ për rikthimin e votës së lirë”.
“Mosbindja civile do të vazhdojë me të gjitha format e saj. Mosbindja civile mbetet Leva e Arkimedit për rikthimin e votës së lirë qytetarëve shqiptarë. Për vendosjen e qeverisë teknike dhe rikthimin e votës së lirë për qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Berisha po ashtu tha se sdo ketë rritje të rrogave të larta, duke përmendur këtu SPAK-un.
“Ne jemi përcaktuar për vendosjen me urgjencë të minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar. Ne jemi përcaktuar për vendosjen sa më shpejt të rrogës minimale 500 euro për çdo të punësuar.
Avancimin në rrogën mesatare në 1200 euro. Jo rritje të rrogave të larta, përkundrazi ta harrojë kush se do marrë 7 mijë euro siç merr sot organizata kriminale e skapistëve. Jo, absolutisht, me dylbi do i shohin”, thekson Berisha.
“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, tre javë më parë uli rrogat e kardinalëve, dhe çdo kardinal i Vatikanit merr 30 përqind më pak se Altin Dumani me ish-xhelatin e Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja, etj. Imagjinoni ju, shteti mijëravjeçar, nga më të pasurit në botë.
Pra, do marrin fund këto histori”, tha Berisha.